
Vrasësi i Perjet Abazit, vëllait të deputetit të PS-së për qarkun e Dibrës, Sadri Abazi, është drejt identifikimit.Burime nga policia bënë të ditur se i dyshuari kryesor i kësaj ngjarjeje është një i ri, banues në një qytet në afërsi të Kurbinit, i cili ashtu sikurse edhe viktima, ishte frekuentues i rregullt i së njëjtës kazino. Dyshohet se 45-vjeçari Abazi dhe i riu i dyshuar si autor i ekzekutimit, kanë pasur mosmarrëveshje disa kohë më parë në kazino. Shkak ka qenë loja dhe fitimi i një shume të konsiderueshme parash nga ana e autorit të dyshuar. Gjithsesi, për efekt të hetimit, burimet policore nuk dhanë më shumë detaje në lidhje me autorësinë e mundshme të ngjarjes, që tronditi tri net më parë qytetin e Laçit. Kamerat e sigurisë së një banke, që ndodhej pak metra larg vendit ku u ekzekutua me breshëri Abazi, janë një provë që duket se ka ndihmuar së tepërmi grupin e hetimit. Sipas burimeve, ekspertimi i mëtejshëm i pamjeve filmike po kryhet në laboratorët përkatës të Ministrisë së Brendshme nga ekspertët e saj. Nisur nga fiksimi i pamjeve të këtyre kamerave, burime nga policia bënë të ditur se personi që vrau 45-vjeçarin rezulton ta ketë ndjekur edhe disa herë të tjera shënjestrën e tij. Ai ka fiksuar më parë lëvizjet e Perjet Abazit, ndonëse ky i fundit në të shumtat e rasteve lëvizte me truproja. Në të gjitha rastet e ndjekjeve nga larg, madje edhe natën e krimit, autori ishte me kapuç në kokë, por jo me maskë. Mungesa e një maske në mbulimin total të fytyrës ka ndihmuar së tepërmi grupin e hetimit për të rënë në gjurmët e një të dyshuari, i cili ishte mjaft i rregullt në kazinonë ku viktima ndodhej pak para se të vritej. Nga pamjet e realizuara në sajë të kamerave të instaluara në bankë, autori i është afruar me hap viktimës, duke dashur të mos tërheqë vëmendjen e kalimtarëve të paktë që janë ndodhur në rrugë. Ai e ka qëlluar për rreth 20 metra, që nga dalja e kazinosë e deri kur Abazi ka mbetur i shtrirë afër mjetit të tij. Ndonëse ka qëlluar me breshëri, viktimën e kanë kapur vetëm dy plumba në kokë, të cilët kanë qenë vdekjeprurës.
AUTORI
Autori i krimit, sipas policisë ka qenë me kapuç në kokë, i veshur me xhup dhe i ri në moshë. Pasi ka qëlluar viktimën, ai është larguar me shpejtësi bashkë me armën e krimit në drejtim të rrugës së vjetër që lidh Laçin me Tiranën. Ai është larguar me hapa, pa nxitim, për të mos rënë në sy të kalimtarëve.
DESHMITE
Grupi i hetimit është fokusuar edhe në dëshminë e dhënë nga persona të ndryshëm, të cilët luajnë në kazinonë që frekuentonte viktima. Por, për efekt hetimi, blutë nuk japin të dhëna rreth dëshmive të tyre, të cilat konsiderohen si kyçe në identifikimin e personit që vrau 45-vjeçarin, biznesmen në Tiranë.
LAÇ/ ROLAND NIKOLLI
© Panorama.al











