
Opozita voton kundër, Xhafaj: Keni frikë nga e ardhmja e tij politike
Me 73 vota pro dhe 57 kundër, Kuvendi ka miratuar dje Komisionin hetimor parlamentar për shkarkimin e nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. Gjatë votimit të komisionit hetimor ra në sy rrjedhja e një vote nga opozita. Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ka ngritur kartonin jeshil, ndryshe nga Grupi i PS-së, për shkarkimin e Kreshnik Spahiut. Komisioni hetimor do të ketë 9 anëtarët dhe do të drejtohet nga Enkelejd Alibeaj. Anëtarët e tjerë do të jenë: Gerti Bogdani, Paulina Hoti, Ledina Aliolli dhe Ramiz Çoba. Në Kuvend nuk janë depozituar emrat e përfaqësuesve të PS-së, të cilët gjatë debateve kanë refuzuar të bëhen pjesë e këtij hetimi.
Debatet
Relatori i Komisionit të Ligjeve, Viktor Gumi, deklaroi dje se kërkesa e 33 deputetëve të grupit nismëtar për hetimin e veprimtarisë së Kreshnik Spahiut, nuk synojnë ndërprerjen e mandatit të tij, por pezullimin nga detyra të nënkryetarit. Sipas Gumit, Kuvendit i jepet e drejta që si organ që e ka miratuar kandidaturën e tij, të propozojë dhe shkarkimin në rastet kur konstatohet papajtueshmëri me detyrën. Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, e cilësoi si të pamoralshme kërkesën e për komision hetimor. “Ne nuk mbështesim Kreshnik Spahiun. Është gjëja e fundit që do të mendonim të bënim, pasi nuk e vlerësojmë pozitivisht punën e tij në krye të KLD-së”, tha Xhafaj. Sipas tij, aksioni i maxhorancës është një “kokëprerje” politike për shkak të votave që mund të marrë partia e Spahiut në të ardhmen. Ndërkaq, kryetari i Komisionit hetimor, Enkelejd Alibeaj, e ftoi opozitën që të marrë pjesë në këtë hetim për të çliruar sistemin e drejtësisë nga kapja politike. “Të gjithë, edhe ju madje i njihni plagët e rënda të sistemit gjyqësor. Por, për këto plagë të rënda, a nuk duhet që të jetë qeveria dhe sistemi gjyqësor që të marrë masat? A nuk duhet të jetë; pikërisht ky ‘Kryeministër’ i qeverisë së Gjyqësorit, që duhet të rrezatojë masat për shërimin e efekteve negative? A s’duhet të japin ndihmesën për eliminimin e efekteve negative, duke kundërshtuar efektet që ai po i jep?”, deklaroi Alibeaj.
Kuvendi refuzon mbrojtjen e Kreshnik Spahiut në seancë
Institucioni i Parlamentit shënoi dje një tjetër përplasje me nënkryetarin e KLD-së, Kreshnik Spahiu. Para nisjes së seancës plenare, Kreshnik Spahiu i është drejtuar Kuvendit me një shkresë zyrtare ku i kërkonte që të paraqiste mbrojtjen dhe qëndrimin kundër ngritjes së komisionit hetimor për shkarkimin e tij. Numri dy i KLD i ka kërkuar publikisht Topallit mundësinë dhe të drejtën e fjalës duke argumentuar se vetëm në këtë mënyrë garantohet parimi për një proces të rregullt ligjor. Por kjo kërkesë e Spahiut është mohuar nga Kuvendi me anë të një tjetër shkrese të sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Marlid Myftiu, që në letrën e tij thekson: “Luteni të lexoni Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë. Ju nuk mund të flisni në seancë plenare”. “Kuvendi i Shqipërisë, 33 deputetë të maxhorancës po tregojnë mungesë respekti duke shkelur Kushtetutën në mënyrë flagrante”, thekoi Spahiu.
FATION BINJAKU
© Panorama.al











