Hetimi i deputetëve, Rama: Gati të hetohem bashkë me ta

Jan 24, 2012 | 12:36

TIRANË- Duke komentuar kërkesën e prokurorisë për imunitetin e tre deputetëve të PS-së, në kuadër të hetimit për 21 janarin, Rama ka deklaruar se ai është gati të hetohet bashkë me ta.

“Asnjë problem për ne që prokuroria kërkon hetimin e tre deputetëve për të shkuar më tej me hetimin. Jam i gatshëm të hetohem bashkë me ta. Nuk e kuptoj cfarë ka bërë secili prej të treve më shumë se unë në organizimin e demonstratës së 21 janarit, ose më shkoqur, e di fare mirë që asnjë nga deputetet nuk ka bërë më shumë se unë vetë për të organizuar demonstratën dhe në këtë aspekt unë, të tre deputetet,dhe të gjithë jemi të gatshëm të hetohemi dhe të kontribuojmë në proces duke thënë të vërtetën dhe asgjë më shumë se këtë”- tha Rama.

Ai i ka bërë apel Prokurorisë t’i përfshijë të gjithë në hetim e atë vetë të parin. “Si kreu i PS nuk kam asnjë imunitet edhe pse ta themi direkt, troc, që heqja e imunitetit të tre deputetëve është për ne tërësisht e pamjaftueshme ndërkohë që mbetet pa u hequr imuniteti i deputetit Sali Berisha”- tha ai.

Sipas Ramës qëndrimi i Ps-së, karshi imuniteteve për cdo cështje që i intereson prokurorisë është i shpallur dhe i njohur. “Por nga ana tjetër, nuk mund të mos e themi me gjithë mbështetjen për prokurorinë se pa hetuar Sali Berishën dhe Bashën, hetimi i cdo figure tjetër ngjan i sforcuar, i padrejtë. Si të mos hetohen dy hallkat më të larta të gardës vrastare, e pajustifikueshme, shpresoj që kjo të mos mbetet kështu deri në fund dhe të ndryshojë jo në funksion të interesit të palëve, por vetëm të hetimit të thellë të drejtë, të paanshëm e të pavarur”- tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura