
Prokuroria e Tiranës filloi dje verifikimet mbi materialet kallëzuese të mbërritura në këtë institucion për incidentet e ndodhura në Bashkinë e Tiranës katër ditë më parë.Duke marrë shkas nga përplasjet fizike të ndodhura në zyrat e brendshme të Bashkisë mes shefit të Policisë Bashkiake Florenc Hoxha dhe dy inspektoreve, Anila Çobani dhe Etleva Duro, Prokuroria ka nisur hetimet. Objekti i verifikimeve që po kryhen mësohet se është kryerja e veprimeve arbitrare dhe ushtrimi i dhunës e fyerja për shkak të detyrës. Prokuroria tha se aktualisht verifikimi është në fazën e konstatimit të fakteve e provave dhe se ende nuk ka persona konkretë të dyshuar. Organi i akuzës mësohet se ka administruar disa imazhe filmime të përplasjes fizike të ndodhur në Bashkinë e Tiranës ditën e hënë. Burimet e Prokurorisë kanë thënë se dy ditë më parë, në këtë institucion ka mbërritur një kallëzim penal i bërë nga dy inspektoret e Tatimeve në Bashki, Anila Çobani dhe Etleva Duro. Sipas Prokurorisë, verifikimet nëse në Bashki ka ndodhur vepër penale kanë nisur pikërisht mbi bazën e padisë së bërë nga dy inspektoret, por ndërkohë po verifikohen të dyja palët. Kryesisht, Prokuroria, veç hetimit për ushtrim dhune ndaj shefit të Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha, është duke verifikuar edhe mundësinë e kundërshtimit të tij nga inspektoret Anila Çobani dhe Etleva Duro. Ato patën një debat verbal dhe më pas një përplasje fizike ditën e hënë me shefin e Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha. Konflikti ndodhi brenda zyrave të Bashkisë për shkak të kërkesës së policisë për daljen jashtë zyrave të inspektoreve që ishin shkarkuar nga detyra. Pas incidentit, drejtori i Policisë Bashkiake të Tiranës dorëzoi kallëzim penal ndaj dy inspektoreve të Tatim-Taksave në Bashkinë e Tiranës, të lajmëruara për largim nga detyra, Anila Çobani dhe Etleva Duro. Në padi, dy punonjëset akuzohen për sulm verbal dhe fizik, për kundërshtim në krye të detyrës, si dhe për kërcënim. Sipas padisë së shefit të Policisë Bashkiake, inspektoret prej ditësh kanë dhunuar institucionin e Drejtorisë së Taksave dhe Tatimeve në Bashkinë e Tiranës, duke mos lejuar funksionimin normal të kësaj zyre. Çobani dhe Duro, prej ditësh fyejnë dhe kërcënojnë brenda zyrave të Tatim-Taksave, duke e bërë punën të pamundur. Për këtë, drejtori i Përgjithshëm i Tatim-Taksave në Bashkinë e Tiranës ka kërkuar ndihmën e Policisë Bashkiake për të larguar nga ambientet e punës dy punonjëset e lajmëruara për largim nga detyra. Ato kanë kundërshtuar ndërhyrjen e policisë”, thuhet në padinë e dorëzuar në Prokurori.
Kompetenca
Policia Bashkiake ka theksuar se është kompetencë e saj të ndërhyjë për normalizimin e situatës brenda institucionit. Ambientet e Tatim-Taksave të Bashkisë së Tiranës menaxhohen nga ana e sigurisë nga Policia Bashkiake, thuhet në padinë që Policia Bashkiake ka bërë ndaj inspektoreve.
Trazhgim Sokolaj
© Panorama.al











