Heqja e TVSH, Kuvendi rrëzon PS

Dec 23, 2011 | 11:01

Rrëzohen dy nismat e PS për të ulur Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për produktet ushqimore.

Bode: PS ka kopjuar programin e Sali Berishës në 2005.

Rrëzohen dy nismat e Partisë Socialiste për të ulur Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për disa produkte ushqimore dhe energjinë elektrike. Kuvendi hodhi poshtë dje më 71 vota kundër dhe 63 pro, dy draftet e opozitës për uljen e taksave. Mbledhja e fundit e Parlamentit për këtë sesion u shoqërua me debate të ashpra pasi deputetët e majtë kanë kërkuar që të pranohet heqja e TVSH-së për produktet si veza, mielli, qumështi dhe vaji, gjithashtu reduktimi i TVSH-së për konsumin e energjisë elektrike. “Tatimi mbi Vlerën e Shtuar do të ulet nga 20% që është sot, në 17%. Do të adoptohet një shkallë e dytë tatimore prej 6% vetëm për furnizimet me energji elektrike, si dhe do të zgjerohet shporta e TVSH-së 0%, për furnizimet e shërbimeve të edukimit, barnat dhe shërbimet mjekësore; furnizimet për mediat dhe furnizimi i gazit të lëngshëm”, deklaroi nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli. Por këto nisma janë kundërshtuar nga deputetët e maxhorancës, të cilët kanë theksuar se një propozim i tillë është demagogjik dhe aspak i realizueshëm. Deputeti Sherefedin Shehu shkoi më tutje teksa deklaroi se propozimi i PS-së, ka për synim goditjen e qeverisë në financat publike.
Replika e Bodes
Ministri i Financave deklaroi në Kuvend se propozimet e opozitës janë një imitim i programit të PD-së, në vitin 2005. Bode theksoi se Edi Rama nuk do të vijë kurrë në pushtet duke kopjuar programin e Kryeministrit Berisha, kur ishte në opozitë.
“Mania për të kopjuar Sali Berishën nuk mund të sjellë në pushtet Edi Ramën. Shqiptarët e kanë një Sali Berishë, nuk kanë nevojë për një të dytë. Të mbajnë atë që kanë dhe e kanë votuar në mënyrë permanente. Sali Berisha dhe kjo qeveri nuk ka mohuar kurrë që ka në programin e 2005 ato propozime që bëni ju sot. Ne patëm një program dhe e deklaruam në mënyrë publike, i kemi deklaruar shqiptarëve se me të vërtetë në kishim në program uljen e TVSH-së në 17 %, por hoqëm dorë nga kjo sepse vendosëm taksën e sheshtë, që i çoi taksat në 10 % dhe jo në 17 %”, deklaroi ministri Bode. Ndërkaq, kreu i financave hodhi poshtë dy nismat e PS-së duke thënë se edhe sikur të miratohen këto dy projektligje, nuk do të mund të luftohet varfëria, por do të shtohet informaliteti. “Nuk mund të luftohet varfëria me uljen e TVSH-së. Sikur të gjitha politikat të adresoheshin për këtë variant, me 10 % të prodhimit të brendshëm bruto nuk do të jepte asnjë efekt. Ju premtoni që do rrisni pagat, pensionet, do ndreqni shëndetësinë me këto 10 për qind të PBB-së, por kjo është vetë një demagogji”, tha Bode.

Propozimet e PS
• TVSH 0 për qind

për grurin, miellin, bukën, qumështin dhe vezën

• TVSH në masën 10 për qind
për vajin, sheqerin dhe orizin

• Përjashtim nga TVSH
për barnat dhe shërbimet shëndetësore

• TVSH në masën 6 për qind
për energjinë që konsumohet nga familjarët

Debatet për nismën e PS
Mimi Kodheli:
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar do të ulet nga 20% që është sot, në 17%. Do të adoptohet një shkallë e dytë tatimore prej 6% vetëm për furnizimet me energji elektrike, si dhe do të zgjerohet shporta e TVSH-së 0% për furnizimet e shërbimeve të edukimit, barnat dhe shërbimet mjekësore; furnizimet për mediat dhe furnizimi i gazit të lëngshëm. Duke e parë gjendjen më realisht, tani që jeni në qeveri, e kuptoni që keni bërë shumë populizëm kur erdhët në pushtet dhe premtuat se do ta ndanit TVSH-në në grupe për mallra të ndryshëm. Çmimi i energjisë elektrike për shqiptarët është më i larti në rajon, duke e bërë këtë mall një nga më të shtrenjtët.
Ridvan Bode: Është e vërtetë që kryetari juaj ka një mani që të kopjë Sali Berishën kur ka qenë në opozitë dhe programin e tij. A ka thënë Sali Berisha që në 2004, se do të ulim TVSH-në dhe keni qenë ju që e keni rrëzuar atë propozim. Dhe ju i keni thënë Sali Berishës që nuk vlen ky propozim. Nuk po kopjoni vetëm propozimet e TVSH-së, por në gjithçka. Mania për të kopjuar Sali Berishën nuk mund të sjellë në pushtet Edi Ramën. Shqiptarët e kanë një Sali Berishë, nuk kanë nevojë për një të dytë. Të mbajnë atë që kanë dhe që e kanë votuar në mënyrë permanente.
Erjon Brace: Keni thënë gjatë këtyre viteve që jeni parti e taksave të ulëta. Çfarë taksash keni ulur ju? Keni ulur vetëm një taksë, tatimin mbi fitimin dhe me këtë taksë i keni bërë ndere atyre kompanive që janë rreth e qark jush dhe që kanë një normë fitimi skandaloze. Kam të dhënat e Drejtorisë Tatimore të dhjetorit të vitit 2009, dhe deklarimin e realizuar nga këto kompani. Kompania më e madhe e celularëve, norma e fitimit 59 %, kompania e dytë e celularëve e ka normën e fitimit 49%, tri kompani ndërtimi që janë në top dhjetëshen, ndër to edhe “Bektel Enka” e ka normën e fitimit 32% dhe kompania që ndërton ujësjellësit dhe tjetra e rrugëve, që i kanë monopol, ka 31% normën e fitimit. ACR-ja e famshme e kromit, 41% norma e fitimit. Këtyre i keni falur para, dhe gropën e krijuar ja keni marrë qindarkë më qindarke shqiptarëve.
Sherefedin Shehu: Është paraqitur në shumë versione dhe i paraprin fushatës elektorale të opozitës. Prandaj mendoj se duhet të kishit pritur dhe ca e ndoshta mund të fusnit një fletë në dosjen boshe të programit tuaj elektoral. Ky propozim është i papranueshëm nga ana ekonomike dhe fiskale, sepse kemi të bëjmë me një tatim që është zbatuar prej 14 vitesh. Me këtë propozim nuk përfitojnë qytetarët, sepse ju nuk jepni asnjë garanci që ulja e TVSH-së do të reflektojë ulje të çmimeve. Ky propozim ka dhe një qëllim djallëzor që synon të godasë të ardhurat e shtetit në një moment të papërshtatshëm për ekonominë. Ju keni qëllime të tjera dhe jo qytetarët, mendoni të godisni qeverisjen me këtë ulje të ardhurash.
Pandeli Majko: Nuk dua të replikoj me zotin Shehu, por dua të them që në vitin 1997 TVSH-ja u rrit më të vërtetë nga qeveria e atëhershme, ku unë kam qenë aktiv si kryetar i Grupit Parlamentar të PS-së dhe kjo TVSH shkoi në masën e 20 %. Por, pse u bë kjo rritje, jo se e kishim në program apo na kundërshtuat ju, por kjo ishte një kusht i Fondit Monetar Ndërkombëtar, arsyeja sepse Shqipëria kishte humbur koefidencën me FMN-në. Sepse kishim lënë nam me firmat piramidale dhe trajtimin e shqiptarëve

FATION BINJAKU


© Panorama.al

Te lidhura