
Dasma në një lokal në Divjakë shkaktoi helmimin masiv të 30 prej të ftuarve. Të dielën e kaluar, 30 dasmorë nga lagjja “Uznovë” dhe fshati Lapardha i Beratit, të gjithë të afërm me njëri-tjetrin, janë mbledhur në një gëzim familjar në Divjakë të Lushnjës. Por, tri ditë pas dasmës, ata kanë ndier shqetësime thuajse në të njëjtën kohë, me simptoma të njëjta, të vjella e diarre. Burime nga spitali i Beratit bënë të ditur se mbrëmjen e së mërkurës janë paraqitur për ndihmë mjekësore 30 dasmorë, 10 prej të cilëve janë shtruar për shkak se ndodheshin në gjendje të rëndë. Ndërsa personat e tjerë, pasi kanë qëndruar disa orë dhe kanë marrë serume e ndihmën e nevojshme, kanë lënë spitalin në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Pas shqetësimeve të para, pacientët fillimisht kanë tentuar të kalojnë situatën duke marrë shërbimet në kushtet e shtëpisë. Por, kur kanë parë se gjendja e tyre shëndetësore po rëndohej, i janë drejtuar spitalit të Beratit. Pacientët e parë mbërritën në orët e vona të së mërkurës, e pas tyre kanë mbërritur edhe të tjerë, duke u bërë gjithsej 30 veta. Një pjesë e tyre kanë marrë ndihmën e parë në repartin e urgjencës dhe janë larguar në banesat e tyre, ndërkohë që 10 prej tyre ndodhen ende në repartin infektiv nga ku po marrin ndihmë intensive me medikamente dhe serume. Mjeku infeksionist Petraq Ceca, u shpreh se dyshimet e para për pacientët kanë të bëjnë me konsumimin e ushqimit në dasmë, megjithatë, dyshohet dhe uji i ndotur që është konsumuar në të njëjtin ambient. “Dyshojmë për raste të salmonelës, por jemi në pritje të analizave bakteriologjike, të cilat janë duke u zhvilluar pranë repartit tonë. Gjendja e të sëmurëve është e mirë, ndërkohë që janë duke u trajtuar me medikamente dhe serume”, tha ai. Sipas pacientëve, ata kanë qenë të gjithë në të njëjtën dasmë në Divjakë. Ata janë të afërm me njëri-tjetrin, disa prej të cilëve anëtarë të së njëjtës familje, por nuk kishte fëmijë mes tyre. Ata kanë deklaruar se kanë konsumuar ushqimet e servirura nga lokali, në menynë e së cilës ka pasur mish dhe më pas ëmbëlsirë. Tri ditë më pas ata kanë ndier dhimbje barku, diarre dhe të vjella. Burime nga Policia e Lushnjës bënë të ditur se janë informuar për situatën dhe se në vend ka mbërritur një grup ekspertësh të Drejtorisë së Shëndetit Publik, të cilët kanë marrë edhe kampionë të ushqimeve si dhe janë duke evidentuar cilësinë e shërbimit të lokalit ku dyshohet se ndodhi helmimi masiv. Por ende nuk ka të dhëna zyrtare për shkakun e mundshëm të kësaj ngjarjeje. Lokalit ku dyshohet të jenë helmuar dasmorët dje i është pezulluar aktiviteti deri në një njoftim të dytë.
Mjeku: Dyshojmë intoksikim nga ushqimi
Mjeku infeksionit, Petraq Ceca, u shpreh për rastin e helmimit masiv se dyshohet se kanë të bëjmë me virusin e njohur si salmonelë, por do të priten rezultatet bakteriologjike që të përcaktojnë llojin dhe shkakun e saj. “Gati 150 veta kanë konsumuar mish lope në Divjakë. Ne efektivisht kemi këtu të shtruar kemi 10 paciente me diarre e të vjella. Nga ana klinike ne mendojmë se mund të jetë salmonelë. Por, po nuk u konfirmua nga laboratori, nuk mund ta themi zyrtare këtë. Dyshimet na çojnë se kemi të bëjmë me një intoksikim nga ushqimi. Pacientët janë relativisht të qetë, janë duke marrë perfuzione dhe antibiotik”, u shpreh mjeku Ceca.
Pacientja: Pasojat i ndjemë pas tri ditësh
Njëra nga dasmoret e helmuara në dasmë, Sanije Piteli, 45 vjeçe, nga fshati Lapardha, u shpreh se ishte ndier keq dhe kishte kërkuar ndihmën e familjarëve për ta çuar në spital. “Ishim ftuar te një i afërmi ynë në Divjakë. Shkuam si familje. Por kur kaluan tri ditë ne ndjemë dhimbje të forta barku dhe më pas na filluan të vjellat dhe diarreja. Unë nuk ndjeva ndonjë shije të rëndë të mishit apo asortimenteve të tjera. Por e vërteta është se ne, pas konsumimit të këtyre ushqimeve, u rënduam shumë. Diarreja dhe të vjellat nuk na kanë pushuar”, u shpreh 45-vjeçarja. “Ne nuk jetojmë në atë zonë që të shprehemi saktë, por mësuam nga mjekët specialistë se kjo gjendje e ka prejardhjen nga ushqimi i prishur apo uji i ndotur”.
BERAT/ DILAVER XHELILI
© Panorama.al











