
Poema “Pashallarët e kuq” apo “Në mesditë Byroja Politike u mblodh” për një kohë të gjatë ishte e mbështjellë me një tis misteri. Ç’ishte ajo poemë që ishte zhdukur nga faqja e dheut, por që ishte dënuar aq shumë?! Në librin e saj me kujtime “Kohë e pamjaftueshme”, Helena Kadare tregon kohën kur i shoqi, Ismaili, e çoi për ta botuar atë në gazetën “Drita” dhe ankthin që pasoi më tej. Ndonëse ajo ishte lexuesja e parë e krijimeve të tij, kjo poemë i kishte shpëtuar syrit të saj dhe hera e parë që e mori në duar ishte gati e frikshme. Siç edhe pritej, filluan mbledhjet, ku vetë Ramiz Alia do të pyeste nëse ishte armik… Një ankth që vijoi edhe pas rënies së diktaturës, deri në zbulimin e dorëshkrimit të poemës në Arkivin e Shtetit, botimi i së cilës u shoqërua me komente pa fund, pro dhe kundër. al.mi
HELENA KADARE
Pakënaqësia kundër tij, ajo që kishte kohë që nuhatej, do të shpërthente befas në tetor të vitit 1975, me rastin e poemës “Pashallarët e kuq” (në mesditë Byroja Politike u mblodh). Është folur kaq shumë për këtë, ndaj nuk do zgjatem. Do të riprodhoj vetëm një pjesë të dëshmisë që i kam dhënë Maks Velos, në librin e tij në trajtë ankete “Zhdukja e Pashallarëve të kuq të I. Kadaresë” “Tensioni filloi qysh të dielën në mëngjes. Në gazetën “Drita” nuk ishte cikli i vjershave të Is. Mua m’u duk gjë e zakonshme. Ai, megjithëse u përpoq të mos e bënte veten, e pashë që u mpi. Zakonisht isha unë që shqetësohesha në raste të tilla. Të nesërmen isha tek dentisti, në atë klinikën dentare që ishte në mes të Tiranës, atje ku është sot Muzeu Historik, kur hapet dera dhe shoh të hyjë Is. Kujtova se kishte ardhur për të më marrë, siç ndodhte zakonisht kur e dinte se ku ndodhesha. Që në sekondën e parë ndjeva një pickim në zemër. Is e tregon shumë në fytyrë kur ka një trazim. “Dritëroi më tha se nuk do ta mbaj atë fjalën për përvjetorin e Naim Frashërit”, më tha sapo dolëm në korridor. E kuptova në çast domethënien e kësaj fraze. Ata që kanë jetuar në atë univers, i dinë mirë kodet e kësaj gjuhe. Dhe tamam si ndonjë tyryfyle, për të fituar dhe disa sekonda, për ta shtyrë qoftë dhe pak çaste të keqen, thashë si pa të keq: “Oh, a shih punë e madhe!”. Në korridor kishte plot njerëz që prisnin radhën te dentisti, e Is vuri gishtin te tëmthi, me atë gjestin e tij aq të njohur, që donte të thoshte: I ke mendtë në kokë? Unë u fyeva, por ai as mori mundimin të më kërkonte ndjesë. Rrugës më tregoi me dy fjalë bisedën me Dritëro Agollin. Shkaku pse nuk e linin që të fliste ishte njëra nga vjershat e pabotuara. U habita ngaqë vjershat më qenë dukur normale. E pyeta cila vjershë, por ai s’donte të jepte shpjegime.
“Njëra nga vjershat, tha me nervozizëm, ç’rëndësi ka”. Në raste të tilla, natyra e tij e vështirë e vinte poshtë. Ishte e pamundur të merreshe vesh me të. Sapo mbërritëm në shtëpi, vrapova në studio për të shfletuar dorëshkrimet që kisha lënë pranë oxhakut, aty ku punonte. Zura kryet me duar nga tmerri. Vjershën kryesore, atë më të gjatën (ishte sa gjysma e tërë ciklit), e shikoja për herë të parë. Ia thashë këtë, por ai vazhdonte të ishte nervoz dhe i pakomunikueshëm. Madje më tha: Ku ta di unë që s’e ke lexuar? E ke lexuar, por s’e mban mend. E pashë që ishte e kotë të vazhdoja. E turbulluar e lexova edhe një herë. M’u duk akoma edhe më e tmerrshme. E ndjeva që ndodhesha përpara një fatkeqësie. Tri-katër ditë vazhdoi kjo gjendje e keqe. Shkoja në punë, në shtëpinë botuese, me zemër të ngrirë. Përpiqesha të merrja vesh nga sjellja e njerëzve se ç’po ndodhte. Në raste të tilla të gjithë të largoheshin. Për habinë time, shokët e zyrës, por edhe të tjerët, silleshin si më parë. Më mbushej zemra me mirënjohje për ta dhe mezi ç’prisja të vija në shtëpi për t’ia treguar Is si një shenjë të mirë. Por ai s’i jepte rëndësi. Në çastet më të këqija të ngjarjes, mbaj mend ditën kur ai erdhi në punën time nga mbledhja e parë, ajo që ishte bërë në zyrën e Ramiz Alisë, në Komitetin Qendror. Ishte i prerë në fytyrë. Më tha se gjatë kohës që ata flisnin, kishte pasur dëshirën të ngrihej e të ikte prej andej me çdo mënyrë, nga dera, nga dritarja. Kishte prapë një nervozizëm të keq, të ftohtë, përzier me apati. Një moment tjetër që s’e harroj kurrë, ishte të nesërmen ose dy ditë më pas. E gjeta në këmbë, te dera që lidhte dhomën e madhe të ndenjjes me pjesën tjetër të apartamentit. Ndiqte me sy apatikë marangozët që po montonin pjesën e sipërme të bibliotekës. S’kishte shumë kohë që e kishim marrë atë apartament, pas një pritjeje prej katër vjetësh. Ende s’e kishim pajisur krejtësisht.
Zdrukthëtarët e pyesnin për ndonjë gjë. Ai bënte “po” ose “jo”, pa e pasur mendjen në vend. Më tha një frazë që më pikoi në zemër: “Të kishim qëndruar edhe pak në këtë apartament”. Ramiz Alia i kishte thënë midis të tjerash: do të na tregosh ti vetë, je apo s’je armik. Si të mos mjaftonte halli i poemës, iu kujtua një rrezik tjetër edhe më i madh. Is kishte dorëzuar para pak kohe në shtëpinë botuese dorëshkrimin e romanit “Pashallëqet e mëdha” (“Kamarja e turpit”). Kishte një farë afërsie me poemën, sidomos nga ana makabre. Po të shihej me atë sy, mund të quhej vepër armiqësore, madje më e keqe se poema. Më tha të shkoja te drejtori i shtëpisë botuese, Thanas Leci, për të tërhequr dorëshkrimin. Drejtori kishte namin e njeriut të ngurtë, por me mua u tregua mjaft i sjellshëm. Më priti shumë mirë, por nuk ma dha dorëshkrimin. Is shkoi vetë pas dy ditësh për ta kërkuar. Nuk arriti dot ta tërhiqte. Ai ishte i bindur se drejtori e kishte çuar në Sigurim. Kështu e ka shkruar dhe në librin “Pesha e kryqit” pesëmbëdhjetë vjet më pas. Koha tregoi se në këtë rast nuk pati të drejtë. Në një sqarim dramatik që pati me Thanas Lecin, pas rënies së komunizmit, ky i tregoi Is dokumente ku vërtetonte se nuk ishte ai që e denonconte fshehurazi I. Kadarenë, por të tjerë. Dokumentet që tregonte Th. Leci ishin vërejtje me shkrim nga Komiteti Qendror, ku i hiqej vërejtje drejtorit për “mungesë vigjilence ndaj I. Kadaresë dhe veprës së tij”, Is i kërkoi publikisht ndjesë për akuzën që i kishte bërë te “Pesha e kryqit”. Libri i Maks Velos, botuar 30 vjet pas ngjarjes, ndërsa u prit si zbulim nga pjesa e shëndoshë e opinionit publik, shkaktoi një acarim të ashpër te një pjesë tjetër. Ishte hera e parë që po botoheshin dokumente të fshehta, që dëshmonin terrorin në kulturë dhe shumë njerëz u shqetësuan. Ata donin që ky proces të mbyllej. Nuk ishte e vështirë të kuptohej shkaku. Një pjesë e Shqipërisë kishte tmerr nga zbulimi i së kaluarës. Por kjo ishte vetëm gjysma e së keqes. E keqja më e madhe ishte se në vend që të bëhej qoftë dhe një farë dënimi i atyre që denoncuan Is në atë kohë, gjithë zemërimi i ish-komunistëve fanatikë u kthye kundër Is vetë dhe natyrisht, M. Velos, që e hapi këtë çështje. Në këtë mënyrë po bëhej një paralajmërim i të gjithëve: mos guxoni të zhbironi të kaluarën komuniste. Jo vetëm që s’do fitoni gjë, por do ta pësoni! Qysh më parë shenjat ishin dukur, por ne ishim treguar naivë. Në kohën që Maksi mblidhte dëshmitë e njerëzve që e donin të vërtetën dhe kritiku Bashkim Kuçuku, Abdurrahim Myftiu etj., u treguan të hapur e të saktë (Anastas Kondo, për shembull, që kishte qenë jashtëzakonisht i ashpër ndaj Is, dëshminë e dha korrekte), të tjerët, ose s’pranuan të dëshmojnë, ose dhanë dëshmi çoroditëse. Zhgënjyese ishte, për shembull, ajo e V. Koreshit, që në atë kohë punonte në gazetën ku vjersha u çua për botim dhe që dinte gjithçka. Grykësia për të mashtruar arriti kulmin në një dëshmi që dha në shtyp Zoi Gremi, kryetar i kooperativës “Agimi”, ku Is shkoi “midis popullit” për t’u pastruar nga lakrat e ideologjisë borgjezo- revizioniste. Në intervistën e tij, Zoi Gremi tregonte se ajo puna e “Pashallarëve të kuq”, me sa dukej s’ishte e vërtetë dhe se Is kishte ardhur në katundin e tij aspak si një fajtor, por me nderime të mëdha. “Më thirri sekretari i partisë së Fierit, për të më thënë se te ju do të vijë shkrimtari i shquar I. K., të cilin duhet ta prisni sikur të vinte vetë Enver Hoxha!”. Mashtrim më të papërmbajtur s’më kishin zënë veshët në jetën time. Dhe ai s’ka nevojë për koment… Historia e “Pashallarëve të kuq” do të zgjatej, siç i thonë fjalës, “si bishti i lugatit”.
Një mëngjes mori në telefon nga Shqipëria gazetari i njohur Ilir Babaramo, për të thënë një lajm të pazakonshëm: teksti i humbur i “Pashallarëve të kuq” ishte zbuluar në Arkivin e Shtetit prej atij vetë. Reagimi i parë i Is tek e dëgjoja të fliste, ishte një ndjesi gëzimi dhe mallëngjimi. Pyetjes së gazetarit se a do ta lejonte botimin e poemës, ai iu përgjigj menjëherë: natyrisht. Is e pyeti gazetarin se sa e gjatë ishte poema. Babaramo u përgjigj “Njëzetenëntë strofa”. Is i kërkoi t’i lexonte ndonjë strofë dhe pas kësaj i tha: ky është teksti im, mund ta botoni. Pas disa minutash mori në telefon vetë drejtori i Arkivit, Shaban Sinani. Ai kërkoi zyrtarisht nga Is lejen e botimit, ashtu siç e kërkonte ligji shqiptar. Is e përsëriti “po”-në e tij. Pastaj tha: jam kurioz të di diçka, a përmendet në poemë fjala “komplotist”? Sinani iu përgjigj “jo”, megjithatë kërkoi ta lexonte edhe një herë, për të qenë i saktë. Pas disa minutash mori përsëri, për të thënë se në poemë njerëzit “me duar të përgjakura” janë vetëm burokratët dhe fjala “komplotist” nuk ekzistonte gjëkundi. Gjysma e spekulimeve kundër poemës ishin bërë pikërisht me hipotezën se ai e kishte me “komplotistët”. Të nesërmen të gjitha gazetat botonin tekstin e poemës. Reagimi, si edhe më parë, ishte i ndryshëm. Shumë njerëz e quajtën tronditëse, të rëndësishme, ashtu siç kishte të tjerë që thoshin se “s’ishte ajo që prisnim”. Kishte njerëz naivë që mendonin në atë mënyrë, ngaqë akuzat e botuara kundër poemës (trakt i zi kundërrevolucionar etj.) kishin qenë aq të rënda, saqë ata mendonin se poema do të ishte kulmi i tmerrit. Aspak nuk mendonin se kjo poemë nuk u shkrua për t’u mbajtur në sirtar si “Vajza e Agamemnonit”, por për t’u botuar, madje në gazetë. Kështu, pra, që ajo, e sidomos vargjet për “duart e përgjakura” të burokratëve, domethënë zyrtarëve shqiptarë, ishte e detyrueshme të kishte edhe “pasaportën” e botimit. Në të njëjtën kohë diskutohej për personazhin e Enver Hoxhës, që përmendej si dikush që “nuk i dinte këto”. Po si mund të çohej një poemë në shtyp duke pohuar se E. Hoxha i dinte ose që ai vetë i kishte duart e përgjakura?! Ana më e pamoralshme e diskutimit bëhej nga njerëz që nuk ishin naivë. Tani pas botimit, teza kryesore ishte: poema s’qe ndonjë gjë, ishte një vepër tipike e realizmit socialist.
Një pjesë e shtypit shtroi çështjen se edhe po të jetë kështu, ne duhet të bëjmë pyetjen: atëherë pse ky zemërim i madh i shtetit kundër autorit, për një poemë të realizmit socialist? Kulmi u arrit kur Is bëhej fajtor, ngaqë “poema s’ishte ajo që prisnim”. Kjo mënyrë të arsyetuari ishte njëlloj s i të bëje fajtorë njerëzit që ishin futur në burg për shkaqe të forta. Shembulli më i qartë ishte ai i dy poetëve të rinj që Is i përmendte shpesh: Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Ata u pushkatuan për ca vjersha disi të trishtuara. A mund të ngrihej dikush e të thoshte se vjershat nuk kishin ndonjë gjë të madhe kundër regjimit, pra çështja e tyre të vihej në dyshim? Vjershat e atyre dy poetëve fare të rinj nuk ishin vërtet haptas kundër regjimit, por ama pushkatimi i tyre u krye pikërisht për këtë akuzë.
© Panorama.al











