Haxhinasto: Ne në Afganistan, përtej vitit 2014

Dec 5, 2011 | 17:46

BON- Trupat shqiptare në Afganistan do të qëndrojnë edhe pas vitit 2014 dhe do të jenë kontribut për paqen së bashku me komunitetin ndërkombëtar. Deklarata është bërë nga ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, njëherësh numri dy i qeverisë, gjatë fjalës së tij në Konferencën Ndërkombëtare mbi Afganistanin, të mbajtur sot në Bon të Gjermanisë.

Në fjalën e tij, ministri Haxhinasto theksoi se Shqipëria është një pjesëtare aktive e përpjekjeve të Komunitetit Ndërkombëtar për të garantuar një Afganistan të qëndrueshëm, në paqe  dhe zhvillim.

“Shqipëria mbështet përpjekjet e Afganistanit për të marrë të gjitha përgjegjësitë lidhur me sigurinë në vend dhe më tej përshëndet vendimin e marrë nga Presidenti Karzai për të kaluar në fazën e dytë të këtij tranzicioni”- tha Haxhinasto.

Sipas tij, kontributi i vendit tonë ka ardhur gjithmonë në rritje dhe është përqendruar në fusha ku Afganistani ka nevojë.

Ai ka kujtuar se Shqipëria ka aktualisht në Afganistan 333 ushtarakë dhe policë, të cilët janë vendosur në disa zona sensitive. “Vendi ynë i kushton një rëndësi të veçantë zhvillimit të kapaciteteve afgane dhe zhvillimit shoqëror në vend dhe për këtë qëllim janë dërguar në Afganistan oficerë të policisë shqiptare, të cilët janë angazhuar në trajnimin e forcave afgane të policisë.  Duke vlerësuar nevojat e domosdoshme në Afganistan, vendi ynë po shqyrton mundësinë që të rrisë kontributin e tij në këtë vend”- tha ai.

Forcimi i paqes dhe i sigurisë në Afganistan, nënvizoi Haxhinasto, nuk mund të arrihet vetëm me mjete dhe rrugë ushtarake, por edhe duke forcuar dimensionin civil të asistencës.

Në këtë konferencë, e cila zhvillohet 10 vjet pas konferencës së parë të Bonit, morën pjesë mbi 100 delegacione nga vende të ndryshme, si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare. Në konferencë ishin të pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së z. Ban Ki Moon; Sekretarja amerikane e shtetit znj. Klinton; Kancelarja gjermane znj. Merkel; Presidenti i Afganistanit, z. Karzai, etj.

© Panorama.al

Te lidhura