Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar dje se me marrëveshjen e fundit, Serbia “de jure” e ka njohur Kosovën. Bashkë me zëvendëskryeministren Edita Tahiri, ata kanë njoftuar kabinetin qeveritar dje për marrëveshjen e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për menaxhimin e integruar të kufirit. Thaçi ka thënë se marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit arrihet vetëm ndërmjet dy shteteve të pavarura e sovrane dhe, si e tillë, marrëveshja e arritur në Bruksel është në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ai e cilësoi atë një hap shumë të rëndësishëm edhe për vënien e rendit dhe ligjit në Veri të Kosovës. Sipas Thaçit, “në të gjashtë pikëkalimet kufitare do të zbatohet legjislacioni i Kosovës nga ana e të gjitha agjencive të Kosovës, ndërsa EULEX-i, sipas ftesës së institucioneve të Kosovës, do të jetë aty për monitorim dhe të mbështesë zbatimin e standardeve europiane për menaxhimin e integruar të kufirit. Simbolet shtetërore të Kosovës do të jenë të vendosura kudo, si në Merdare, ashtu edhe në pikën 1 dhe 31”. Ndërsa kryenegociatorja e Kosovës, Tahiri, ka njoftuar për zhvillimin e raundit të tetë, ku u fol për çështjet e bashkëpunimit rajonal, energjisë, telekomit, por vëmendjen kryesore e kishte marrë marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit, e kërkuar me ngulm nga zyrtarët e BE-së, pas një dialogu maratonë treditor. Marrëveshja u përshëndet edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si një hap përpara për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.











