Punëtorët e hashashit, policia s’lejon hyrjen në Lazarat

Jun 15, 2012 | 17:27
Foto Ilustruese

GJIROKASTER- Punëtorët e ndaluar nga policia e Gjirokastrës deklarojnë hapur se udhëtimi i tyre në fshatin Lazarat ka pasur për qëllim kultivimin e kanabisit.

Sot Policia e Gjirokastrës ka vazhduar aksionin në ndalimin e rrugëtimit të të tjerë individëve që kanë dashur të punojnë dhe shpërblehen nga lazaratasit për punën që do të kryenin në mbjelljen e hashashit dhe kultivimit të tij.

Një aksion blic i ndërmarrë në orët e mesditës së të premtes nga forcat e policisë rajonale dhe atyre të FNSH së Fierit, ka shërbyer për bllokimin e mëditësve të hashashit në një prej stacioneve të furgonave të linjës Gjirokastër-Lazarat. Aksioni izoloi daljen e të gjithë furgonëve nga Gjirokastra në drejtim të fshatit, në orën 9:30 minuta, duke krijuar një amulli të madhe në qarkullimin e automjeteve në zonën e poshtme të qytetit në aksin nacional Gjirokastër-Kakavije në zonën e quajtur Postblloku.

Në deklaratat e tyre mëditësit e hashashit shumica e të cilëve ishin burra në raport me ditën e djeshme që ishin gra, deklaruan hapur dhe pa ndrojtje, se në Lazarat, do të shkonin për të hapur gropa për kultivimin e kanabisit. Ishin këto deklarata të thëna në seri nga çdo intervistues mëditës të cilat vendosën në pozita pune punonjësit e Policisë së Gjirokastrës.

Sipas Policisë së Gjirokastrës, të 21 të ndaluar kanë dhënë deklaratat e tyre që nuk do të punonin në parcela apo dhe kultivim të hashashit dhe pas kësaj, janë lënë të lirë, ndërkohë që mendohet se disa prej tyre kanë vazhduar rrugën për Lazarat me mjete të tjera transporti.

Grupi i sotëm i të ndaluarve të sotëm i bashkohet atij të djeshëm ku 100 individë shumica gra, u ndaluan nga Policia e Gjirokastrës, të rrugëtonin drejt Lazaratit.

Piro Nase

© Panorama.al

Te lidhura