Me një top në këmbë, Luis Hasa po përpiqet të mbërrjë lavdinë personale dhe të shkruajë me të arta mbiemrin e tij në historinë e futbollit, një mbiemër i një familjeje nga Peqini, që ashtu si shumë bashkëkombës emigruan në Itali në 1993- shin, aty ku 11 vite më vonë lindi Luisi.
Pakkush e parashikonte në vitet e para të jetës së tij se sot do të kishte mundësinë të shpallej kampion Europe me fanellën e “axurrëve” U-19, por ai dhe familja e tij e kanë shpresuar ndoshta që në moshën 6-vjeçare, kur në fushën pranë shtëpisë u pikas nga një zbulues talentesh dhe më shumë akoma prej moshës 7- vjeçare kur veshi për herë të parë fanellën e Juventusit, që vazhdon të jetë edhe sot lëkura e tij e dytë. Në shansin e artë që ka sot për të triumfuar në Europian, një kontribut të paçmueshëm ka vetë ai, pasi ishte protagonist me dy asiste në gjysmëfinalen ndaj Spanjës, të përfunduar 2-3. Të dielën në orën 21:00 përballë Portugalisë, djaloshi me origjinë nga Peqini do të ketë rreth qafës së tij një medalje, që pritet të mos jetë kulmi, por vetëm pikënisja e tij në rrugëtimin që e pret.
TALENTI – I lindur më 6 janar 2004 në Sora, në provincën e Frozinones, Luis Hasa është një mesfushor me tipare sulmuese, i rritur në akademinë e Juventusit dhe interesat e të cilit mbrohen nga një prej agjentëve më të rëndësishëm të Italisë, Federiko Pastorelo (ishagjenti i Lukakut dhe agjent i De Vrajit ndër të tjerë). Një detaj jo parëndësi, duke marrë parasysh që në garë për të siguruar të drejtat e tij ka qenë edhe agjencia e udhëhequr nga Françesko Toti. Por për t’u rikthyer te karakteristikat e Hasës me kalimin e viteve, 19-vjeçari është perfeksionuar dhe mund të luajë qoftë si fantazist, qoftë si sulmues krahu. I pajisur me një teknikë të shkëlqyer individuale dhe mbi të gjitha një aftësi të shkëlqyer për të kapërcyer kundërshtarin dhe për të krijuar aq shumë të nevojshmen epërsi numerike, Hasa nuk zhgënjen as në finalizim dhe e ka treguar këtë si me fanellën e Juves, ashtu edhe me atë të kombëtares.
ZBULUESI – Te Juventusi shpresojnë që te Hasa të kenë një tjetër Fabio Mireti, një talent të prodhuar në shtëpi, mbi të gjitha falë zbuluesit Marko Burbelo, që e pa në fushën pranë shtëpisë kur ishte 7 vjeç dhe telefonoi Juven. “Në atë kohë unë isha vëzhgues për Juventusin. Pashë një grup fëmijësh duke luajtur, duke goditur portën dhe duke u stërvitur dhe u godita menjëherë nga cilësitë dhe talenti i Luisit. Kishte cilësi teknike natyrale jashtë të zakonshmes, godiste me fuqi, saktësi dhe thjeshtësi. Shumë forcë në këmbë dhe lehtësi në kapërcimin e kundërshtarit. Të gjitha aftësi dhe karakteristika që askush nuk mund t’i mësojë dhe veçanërisht në atë moshë, kur shprehen natyrshëm. Telefonova menjëherë bardhezinjtë dhe që atëherë ai është pjesë e Primaveras. Një djalë fanatstik, ashtu si gjithë familja e tij. Ata janë vërtet njerëz të veçantë, të përulur, që mbështesin dhe e kanë mbështetur Luisin në çdo gjë, por duke ruajtur gjithmonë sensin e realitetit dhe duke qëndruar me këmbë në tokë. Jam shumë i lumtur që e shoh Luisin të vazhdojë rrugëtimin e tij, ne flasim shpesh. Është një djalë që ka bërë sakrifica të mëdha që në moshën 7- vjeçare”, rrëfeu para pak muajsh zbuluesi.
FAMILJA DHE FËMIJËRIA – Në filmin e Luis Hasës ende për t’u kompletuar, një histori sa personale, aq edhe familjare, vendxhirimi fillestar duhet të jetë Peqini, aty ku ka lindur babai i tij Arbeni, që mbërriti në Itali në 1993- shin, në Sora, pranë Frozinones. Aty ndodhej familja e tij e madhe, e përbërë nga 6 vëllezër dhe 2 motra dhe pak pas lindjes së Luisit, Arbeni bashkë me të shoqen Naiadën dhe djalin Alesion, të lindur në 2001, u zhvendosën në Asti, ku ndodhej një tjetër xhaxha i Luisit. Alesio, djali i madh i Arbenit dhe Naiadës filloi të luante futboll pranë fushës në San Domeniko Savio, aty ku shkoi edhe Luisi sapo nisi të hedhë hapat e parë. Aty e pikasi Marko Burbelo, zbuluesi i talenteve dhe më vonë Luisi filloi të shkonte në Vinovo çdo javë për provat. Një udhëtim i dyfishtë Ast-Torino-Ast për rreth një vit, derisa Juventusi vendosi ta regjistronte. Një angazhim jo i lehtë për Luisin dhe familjen e tij, por i përballur me një qetësi dhe seriozitet të madh nga të gjithë. Shumë sakrifica dhe përpjekje për të plotësuar të gjitha angazhimet: punën, shkollën dhe futbollin. Luisi nisej çdo ditë para orës 7 të mëngjesit dhe kthehej në mbrëmje, por gjithmonë me buzëqeshje dhe me kalimin e viteve, së bashku me djemtë e tjerë të Juventusit në zonë, merrnin autobusin e klubit në dalje të autostradës Asti. Çdo vit, për 11 vjet, Luisi dhe familja e tij bënë më shumë se 40 mijë kilometra në vit vetëm për të shkuar në stërvitje, ndeshje dhe turne.
MOMENTET – Lumturia dhe kënaqësia nuk kanë ndryshuar as familjen dhe as Luisin, që ende sot vjen e shkon nga Torino në Asti, me lumturinë e një fëmijë. Futbolli është pjesë e familjes me vëllain Alesio, që ka luajtur për vite me San Domenikon dhe rrethinat. Gjëja më e mirë ama për babain, mamanë dhe familjen, është të shohin që Luisi ka mbetur ende i njëjti djalë modest dhe i vendosur, që telefonon gjithmonë në shtëpi, pavarësisht vendit ku është dhe që e ka bërë këtë edhe pas dopietës së parë me fanellën “axurre” U-19 kundër Hungarisë në miqësore, ashtu si me shumë mundësi ka bërë pak ditë më parë pas dy asisteve që kontribuuan në kualifikimin e Italisë U-19 në finalen e Europianit. Sa herë në fushë është Luisi, gjithë familja Hasa është në festë, ashtu si ka qenë pas golit që ka shënuar me të rinjtë e Juves ndaj Benfikës në “Youth League”, sigurisht pasuar nga një telefonatë. E ndërsa jemi te Juventusi, idhulli i tij është një “ish” si Kristiano Ronaldo, që ka pasur mundësinë ta hasë në disa prej stërvitjeve kur luante në Torino.
TOTI – Talenti i Hasës është vënë re nga shumëkush, madje edhe nga Françesko Toti. Para se të vendoste t’i bashkohej agjencisë së Federiko Pastorelos, Luisi dhe familja udhëtuan në Romë për të takuar legjendën verdhekuqe pas kontaktit të tij me ta. Pavarësisht gjithë kënaqësisë së bisedës personalisht me legjendën dhe një eksperience të bukur për t’u treguar, Luisi dhe familja bënë një tjetër zgjedhje, që deri më sot po rezulton e frytshme.
NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al