Trump: Uraniumi i Iranit do të shkatërrohet me ose pa bashkëpunimin e Teheranit! Mojtaba më racional se i ati, e di se ku ndodhet

Jun 7, 2026 | 16:37

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se SHBA-ja është shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje me Iranin për t’i dhënë fund konfliktit që ka zgjatur prej muajsh, por paralajmëroi se rezervat e uraniumit të pasuruar të Teheranit do të shkatërrohen “me ose pa bashkëpunimin e Iranit”.

trump donald

Në një intervistë për NBC News, Trump tha se nëse arrihet marrëveshja, SHBA-ja dhe Irani do të bashkëpunojnë për largimin dhe asgjësimin e uraniumit të pasuruar. Në të kundërt, ai paralajmëroi se Uashingtoni do të vazhdojë presionin ushtarak ndaj Teheranit dhe nuk përjashtoi goditje të reja.

Trump theksoi se një marrëveshje e re do të ndalojë jo vetëm zhvillimin, por edhe blerjen apo sigurimin e armëve bërthamore nga Irani. Ai shtoi se asetet e ngrira iraniane nuk do të zhbllokohen dhe sanksionet nuk do të hiqen përpara finalizimit të marrëveshjes.

Presidenti amerikan u ndal edhe te lideri i ri suprem iranian, Mojtaba Khamenei, duke e cilësuar atë “më racional” se babai i tij. I pyetur për vendndodhjen e tij, Trump tha se nuk dëshiron të japë detaje, por la të kuptohet se mund të ketë informacione të sakta. Ndërkohë, ai bëri të ditur se rreth 50 mijë ushtarë amerikanë do të mbeten në Lindjen e Mesme deri në përfundimin e marrëveshjes me Iranin.

© Panorama.al

Te lidhura