‘Humbja e Bashkisë nga Rama, jo tragjedi për PS’

May 26, 2011 | 10:30

Deputeti socialist, Andis Harasani, në një intervistë për gazetën “Panorama”, shprehet kundër vendimit të Grupit të PS për bojkot të Parlamentit. Duke analizuar qëndrimet e PS gjatë dhe pas zgjedhjeve, Harasani vëren si shkak të rezultatit për Tiranën çarjen e së majtës dhe punën e dobët të Bashkisë së Tiranës, në të cilën mungonte strategjia e drejtimit.Deputeti socialist vëren me shqetësim përdorimin e deputetëve nga ana e kryetarit Rama sa herë që ai gjendet në vështirësi dhe kërkon që bojkoti të mos përdoret vetëm nga deputetët, por dhe nga kryetarët e bashkive të sapozgjedhur. Harasani shprehet se nuk ka marrë asnjë përgjigje nga kreu i Grupit, Ruçi, për faktin se ai dhe deputeti Kastriot Islami nuk u lajmëruan për mbledhjen e Grupit të deputetëve socialistë të zhvilluar dy ditë më parë.
Dje u zhvillua një mbledhje Grupi për një vendimmarrje të rëndësishme, siç është bojkoti i Parlamentit, ndërsa ju dhe zoti Islami nuk ishit lajmëruar. Si e vlerësoni këtë qëndrim të kreut të PS?
Kjo gjë tashmë duket normale nëse sheh mënyrën se si zoti Rama e drejton Partinë Socialiste nga 2005-a dhe janë këto sjellje të vogla rrjedhojë e rezultateve që ne po marrim. Unë vazhdoj të jem pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, pavarësisht nëse zoti Rama më thërret apo jo në mbledhjet e Grupit. Është, pak a shumë, më vjen keq që e bëj këtë krahasim, por është e njëjta histori me votat, për sa kohë shprehet qartë votuesi, votat janë të vlefshme për çdo deputet, pavarësisht thirret apo jo nga zoti Rama.
Si e gjykoni vendimmarrjen e Grupit për të rinisur një bojkot të ri të Parlamentit?
Unë nuk kam marrë në dorë një vendim zyrtar të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. I kërkova një shpjegime kryetarit të Grupit për arsyet e mosthirrjes sime dhe të zotit Islami në mbledhje. Nuk mora përgjigje nga kryetari, sepse duhet të dini se kryetari i Grupit është Gramoz Ruçi dhe jo Edi Rama. Megjithatë, lidhur me propozimin e bërë në Grupin e deputetëve, që përfaqësuesit socialistë në Kuvend të mos marrin pjesë në komisione dhe në seancat parlamentare, është një masë e përsëritur dhe PS po u rikthehet rrugëve që ishin të pasuksesshme dhe ishin këto rrugë nga ku filloi dhe çarja në Partinë Socialiste. Ishin pikërisht këto rrugë që iu propozuan militantëve të PS-së dhe ishin pikërisht këto rrugë që i sollën militantët të shtunave dhe ditët e festave në Tiranë për protesta dhe, për fat të keq, zgjedhjet e parakohshme nuk u arritën dhe në zgjedhjet e radhës ne humbën përsëri votën popullore.
Ju jeni deputet i Tiranës prej shumë vitesh. Si e gjykoni këtë përmbysje të rezultatit, ku nga 9, PS fiton vetëm 4 minibashki dhe kryetari i Bashkisë është në dyshim për rezultatin e tij?
Të shikojmë pak para fushatës. Zoti Rama hyri në fushatë jo për të fituar Tiranën, por për të fituar thellë Këshillin Bashkiak. Sigurisht, nuk arriti të garantojë Këshillin Bashkiak, por është në diskutim dhe mandati i tij. Nuk mendoj se do të ishte ndonjë tragjedi për Partinë Socialiste nëse ai do të humbte mandatin e tij si kryetar bashkie, sepse është një karrige që i ka sjellë më shumë probleme, sesa të mira Partisë Socialiste. Më erdhi shumë keq kur dëgjova kryetarin e radhës të Partisë Socialiste kur i cilësoi “thërrime” minibashkitë e Tiranës. Të paktën minimalisht duhet të kemi respekt për ata kandidatë dhe kryetarë minibashkish që luftuan për çdo votë për veten e tyre dhe për Edi Ramën në çdo njësi bashkiake. Ata janë njerëz të nderuar dhe janë njerëz që edhe pse humbën vetë, siguruan vota për zotin Rama. Gjithsesi, mosmirënjohja është pjesë e sjelljes dhe e filozofisë në PS që prej 2005-s.
Cilat janë arsyet që ndikuan në këtë rezultat në Tiranë?
Arsyeja kryesore e humbjes së PS-së është çarja e së majtës. Premtimi kryesor me të cilin zoti Rama erdhi në krye të PS-së, duke premtuar bashkimin e së majtës, dështoi për shkaqet që ne ia kemi thënë dhe ai nuk do t’i pranojë. Zoti Rama arriti bashkim të së majtës në 2007-n thjesht për të marrë Bashkinë e Tiranës dhe për të forcuar pozitat brenda PS-së! Gjithashtu do të rendisja dhe punën e dobët të Bashkisë së Tiranës, mungesën e një strategjie të qartë për drejtimin e Bashkisë së Tiranës. Të mos harrojmë se jemi në një situatë kur diferenca në 2007-n ishte me 22 mijë vota dhe në 2011-n u detyruam të shkojmë në një rezultat të ngushtë me 9 vota.
Ju këtë rezultat e keni paralajmëruar pak a shumë përmes një letre të hapur që i shkruat një muaj më parë kreut të PS-së. A morët një përgjigje nga zoti Rama?
Sigurisht që mora përgjigje private, duke mos më thirrur në mbledhjen e Grupit dhe Partia Socialiste mori përgjigjen publike, ku fatkeqësisht doli me këtë rezultat, duke më dhënë mua plotësisht të drejtë, edhe kur kam folur për mosseriozitetin e PS-së, lënien e mandateve, mosseriozitet për bojkotin e Parlamentit, apo për mosvotimin në Parlament, grevë urie; të gjitha këto masa që dështuan me sukses të plotë.
Si ju duket veprimi i deputetëve socialistë që nga 2005-a, kur janë përballur me forcat e rendit për Zogun e Zi, pallatin e deputetit Dashamir Peza dhe së fundi për mandatin e kryetarit të Bashkisë?
Nuk do të kisha asnjë koment për kolegët e Grupit Parlamentar. E vetmja gjë që më ka bërë përshtypje e që duhet t’u ketë bërë përshtypje dhe kolegëve, është se në prishjen e Zogut të Zi, në krye të protestuesve ishte zoti Rama, ndërsa para KQZ-së zoti Rama mungoi. Mendoj se duhet të ishte personi më i interesuar për atë betejë dhe ai duhet të ishte vetë aty, ashtu si mungoi dhe në grevën e urisë. Po bëhet normale në PS nxjerrja e deputetëve në beteja pa kryetarin e partisë. S’mund të rri pa përmendur vitet 2001-2002, demonstratat dhe protestat e PD-së, ku megjithëse ishin jo më shumë se 20-30 veta, kryetari i opozitës së atëhershme dhe Kryeministri i sotëm, zoti Berisha, ishte gjithnjë në krye të çdo proteste.
Për një rezultat kaq të ngushtë, vetëm me 10 vota diferencë, mendoni se është normal kërcënimi për revolta popullore nga ana e PS, ndërkohë që ka fituar bashkitë kryesore të vendit?
Ajo çka unë mendoj e që nuk ka kuptim në gjithë këtë histori është që u kërkohet deputetëve të mos marrin pjesë në Parlament, dhe nuk u kërkohet kryetarëve të bashkive të fituara që të mos shkojnë në punë!
Nëse PS vendos të mos shkojë në Parlament dhe ta bojkotojë atë, ju do të shkoni dhe do të merrni pjesë në komisionet dhe seancat parlamentare?
Sigurisht që po.
Në gjykimin tuaj, numërimi i votave të hedhura gabim ishte i drejtë apo këtë më shumë sesa KQZ duhet t’ua kërkojmë dy partive që nuk bënë asnjë rregullim në Kodin Zgjedhor për të detajuar dhe qartësuar çdo situatë zgjedhore?
Unë s’mund të jap përgjigje për çështje ligjore, por sigurisht është përgjegjësi e të dyja partie që nga mënyra se si u formulua KQZ-ja. Nëse KQZ-ja u formulua në mënyrë bipartizane, për t’ia hedhur njëra-tjetrës dhe partive të vogla, nuk kuptoj pse sot kryetarët e të dy partive habiten me mënyrën se si vepron KQZ-ja dhe, nga ana tjetër, mendoj se çdo lloj presioni ndaj institucioneve të pavarura nuk do të sjellë asnjë lloj dobie. Dua të theksoj këtu faktin se nuk arrita të kuptoja deklaratën e dy ditëve më parë të zotit Rama, i cili tha se “këtë çështje ia ka lënë në dorë drejtësisë, por nëse drejtësia nuk do të veprojë siç do PS, atëherë do të ketë protesta”. Kjo tregon se vendimi i Kolegjit Zgjedhor është i paragjykuar, sepse nëse të njëjtën gjë do të kishte bërë dhe Partia Demokratike, për popullin shqiptar do të kishte qenë luftë për çdo vendim të Kolegjit.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura