Haradinaj kthehet në Kosovë në pritje të vendimit të Hagës

Jul 18, 2012 | 13:44

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili po gjykohet për herë të dytë nga Gjykata e Hagës për krime lufte, u kthye në Kosovë në pritje të vendimit për çështjen e tij dhe të dy bashkëluftëtarëve të tij. Haradinaj u lejua nga Gjykata që ta presë vendimin në shtëpi për gjykimin e dytë mbi akuzat kundër tij, në një rast të paprecedentë të Hagës. Kjo është hera e dytë që Haradinaj lejohet të qëndrojë në shtëpinë e tij, me kushtin për të mos marrë pjesë në asnjë aktivitet publik apo politik, që prej arrestimit të tij të dytë, në vitin 2010. Vendimi përfundimtar mbi çështjen “Haradinaj” pritet të merret në fund të muajit gusht apo në fillim të shtatorit, dhe deri atëherë ai do të lejohet të qëndrojë me familjen e tij. Por jo dy bashkëluftëtarët e tjerë, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj.  Ish-kryeministri i Kosovës, Haradinaj, mbërriti dje pas mesditës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Pas përfundimit të seancave ku u dëgjuan akuza dhe mbrojtja, Haradinaj u lejua të kthehej në pritje të vendimit përfundimtar të procesit ndaj tij. Prokuroria në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë kërkoi 20 vjet burg për Haradinajn, nën dyshimet për krime lufte të cilat përsëri në këtë gjykim të dytë nuk u arritën të provoheshin bindshëm. Ramush Haradinaj, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dha dorëheqje nga posti i Kryeministrit të Kosovës më 8 mars 2005, pas nxjerrjes së një fletarresti nga Gjykata e Krimeve të Luftës në Hagë. Ai u dorëzua vullnetarisht. Procesi kundër tij nisi më 5 mars 2007 dhe përfundoi në prill 2008, me pafajësi. Gjykimi i Haradinajt u rihap sërish në korrik të vitit 2010, pas argumenteve se vendimi për pafajësinë e tij ishte i pjesshëm, me argumentin se në gjykimin e mëparshëm dëshmitarët ishin kërcënuar.

Takim në OKB
Rusia ka kërkuar një takim urgjent të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit në Nju Jork për Kosovën. Temat që do të diskutohen janë vrasja e një çifti serb në fshatin Talinoc të Ferizajt, dhe pretendimet e Moskës se kryengritësit sirianë janë trajnuar në Kosovë. Anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurimit kanë kërkuar që organet e drejtësisë të bëjnë detyrën e tyre e më pas të mbahet takimi.

2000 agjentë
Sipas një raporti nga SHBA dhe Gjermania, rreth 2 mijë agjentë serbë veprojnë kryesisht në veri të Kosovës. Dy vendet e fuqishme që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kanë kërkuar që Serbia të tërheqë agjentët e saj, sipas të përditshmes serbe “Blic”. Zyrtarisht nuk rezulton të ketë forca të sigurisë serbe në veri të Kosovës, por gazeta shkruan se “ka 300 apo 400 punëtorë të angazhuar të Ministrisë së Brendshme serbe”. Ndërsa shërbimet e huaja raportojnë se në Veri ka rreth 2000 agjentë sekretë të Serbisë.

© Panorama.al

Te lidhura