Hamdi Salihi në “Big Brother”: Kisha frikë nga kamerat

Mar 29, 2011 | 12:20

Pas një natë magjike në fushën e blertë të “Qemal Stafës”, Hamdi Salihi, heroi i ndeshjes ndaj Bjellorusisë, së bashku me kolegun e tij, Ervin Bulku ishin të ftuarit specialë të spektaklit “Big Brother Albania 4”. Pikërisht mbi këtë eksperiencë unike, shkodrani ka folur për mediat austriake sapo është kthyer në Vjenë të Rapidi. “Kisha një lloj frike dhe emocione nga skena. Por më së shumti më nervozonte ideja se isha nën mbikëqyrjen e shumë telekamerave nga çdo cep i shtëpisë. Ishte një ndjesi shumë e çuditshme”, ka pohuar Salihi për “Sportnet.at”. Më tej, sulmuesi shkodran ka treguar për ftesën që i ishte bërë direkt pas ndeshjes me Bjellorusinë. “I gjithë vendi ishte në festë pas asaj fitoreje, ndaj organizatorët kishin vënë gishtin mbi mua dhe së bashku me një koleg timin në Kombëtare, Ervin Bulkun, i cili luan te Hajduku i Splitit në Kroaci, shkuam si të ftuar specialë në këtë show”, ka vazhduar sulmuesi kuqezi. Ndërkaq, mediat austriake i kanë mëshuar edhe faktit se Salihi është duke kaluar një moment të mirë të karrierës së tij (ndaj bjellorusëve shënoi golin e tij të 21 për këtë vit mes Kombëtares dhe Rapidit), ndaj edhe ai shihet si një nga lojtarët që do të vihet në qendër të merkatos të disa skuadrave evropiane gjatë kësaj vere. Madje që tani ka filluar të flitet për oferta në drejtim të skuadrës austriake për të, por që janë shpërfillur nga drejtuesit e Rapidit të Vjenës.

Fishekzjarrë, Federata i frikësohet një gjobe

Pas gjobës 40 mijë euro nga UEFA që mori FSHF-ja, për shkak të sendeve të hedhur në fushë gjatë ndeshjes Shqipëri-Bosnje, tashmë institucioni i futbollit shqiptar i druhet një tjetër mase penalizuese. Burime pranë drejtuesve të Federatës, konfirmuan për “Panorama”, se një fishekzjarr i hedhur gjatë ndeshjes së fundit me Bjellorusinë mund t’i kushtojë një tjetër gjobë institucionit të futbollit. Në fakt, kjo është nuhatur nga zyrtarët e FSHF-së, nisur nga sjellja e delegatit të ndeshjes Shqipëri-Bjellorusi. Këtë herë, gjoba mund të jetë edhe më e madhe. Gjatë ndeshjes, disa herë u bënë thirrje për të shmangur hedhjet e fishekzjarrëve, por tifozët ishin të papërmbajtshëm. Madje gjatë pushimit mes dy pjesëve, ka pasur edhe përplasje mes policisë dhe tifozëve, një pjesë e të cilëve nuk u lanë më që të shikonin ndeshjen në stadium, për shkak të fishekzjarrëve që po hidhnin.

© Panorama.al

Te lidhura