Hamasi shkeli armëpushimin, shpërthime në Gaza pas urdhrit të Netanyahut për sulme të fuqishme

Oct 28, 2025 | 19:08

Shpërthime janë dëgjuar në Rripin e Gazës pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu urdhëroi ushtrinë të ndërmarrë “sulme të fuqishme” ndaj territorit.

netanyahu_0915

Urdhri erdhi pasi Netanyahu akuzoi Hamasin për shkelje të armëpushimit, duke pretenduar se grupi kishte dorëzuar mbetje që i përkisnin një pengu izraelit i cili ishte tashmë i identifikuar dhe i rikuperuar më herët.

Në një deklaratë nga zyra e kryeministrit thuhej: “Pas konsultimeve të sigurisë, kryeministri Netanyahu udhëzoi nivelet ushtarake të kryejnë menjëherë sulme të fuqishme në Rripin e Gazës.”

Ndërkohë, Hamas njoftoi sot se do të shtynte dorëzimin e planifikuar të trupit të një pengu që kishte gjetur, duke akuzuar Izraelin për shkelje të armëpushimit të mbështetur nga SHBA-ja.

Njoftimi për sulmet erdhi pak pasi Izraeli deklaroi se forcat e Hamasit kishin hapur zjarr ndaj trupave izraelite në jug të Gazës.

Në një tjetër shenjë të brishtësisë së armëpushimit tre-javor, ushtria izraelite raportoi se trupat e saj u qëlluan në qytetin Rafah dhe u kundërpërgjigjën me zjarr, sipas një zyrtari ushtarak izraelit.

Një zyrtar i ushtrisë izraelite i tha korrespondentit të Sky News për Lindjen e Mesme, se “Hamas ka treguar fytyrën e tij të vërtetë”.

“Hamas e ka shkelur sërish armëpushimin, duke kryer një sulm ndaj forcave të IDF-së në lindje të vijës së verdhë, në një zonë nën kontrollin izraelit. Kjo është një tjetër shkelje e hapur e armëpushimit. Kjo vjen pasi Hamas po përpiqet të shtiret sikur nuk di ku ndodhen pengjet e mbetura”, tha ai.

Nga ana tjetër, në një postim në aplikacionin Telegram, Hamas paralajmëroi se çdo përshkallëzim i sulmeve izraelite në Gaza do të pengonte operacionet e kërkimit dhe gjetjes së trupave të pengjeve, duke vonuar kthimin e trupave të ushtarëve izraelitë.

Mendohet se 13 trupa pengjesh ndodhen ende në Gaza. Të gjithë 20 pengjet e mbijetuara janë liruar tashmë në këmbim të gati 2,000 të burgosurve palestinezë, por rikthimi i trupave të pajetë po ecën ngadalë.

Hamas ka deklaruar se vështirësitë në gjetjen e tyre lidhen me mungesën e pajisjeve të nevojshme për kërkim në rrënojat e shkaktuara nga bombardimet. Kërkimet për trupat janë intensifikuar ditët e fundit pas mbërritjes së makinerive të rënda nga Egjipti.

Buldozerë janë parë duke punuar në Khan Younis dhe më në veri, në Nuseirat, të rrethuar nga luftëtarë të armatosur të Hamasit. Disa nga trupat besohet se ndodhen në rrjetin e tuneleve të Hamasit nën territorin e Gazës.

© Panorama.al

Te lidhura