“Halli i Ramës është i madh, kërkon të zhdukë dosjen”- Berisha: Kryeministri do bllokojë edhe arrestin e Ballukut! Kërkesa e prokurorit për pezullimin, i ligjshëm

Dec 14, 2025 | 12:32

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot në një komunikim live me ndjekësit e tij në rrjetin social se rruga e vetme e opozitës kundër pushtetit dhe regjimit të Edi Ramës është vetëm rruga me protesta, deri në rrëzimin e tij, duke deklaruar tërheqjen nga çdo bashkëpunim tjetër institucional me mazhorancën, përfshi Territorialen dhe Zgjedhoren.

berisha

Ai u shpreh se Rama po përpiqet të zhduke provat dhe dosjet ku është i implikuar vetë dhe familja e tij, ato që kanë të bëjnë me pronat e AKSH-it, duke komentuar episodin me zv/drejtorin e atij institucioni që u thirr nga SPAK. Berisha nënvizoi se zv/drejtori u rrëmbye në Elbasan që të ndryshonte dëshminë e tij dhe të mos tregonte.

“ZV/drejtori i përgjithshëm u mbajt peng për orë të tëra në Elbasan, sepse dyshohej se kishte folur në SPAK, që të zhdukej dosja atje (AKSHI-t), sepse ishte përfshirë Linda Rama. Imagjinoni ju tani se ata i shkojnë atje që t’i kërkojnë dokumentet. Halli i Ramës është shumë i madh, ndaj ai doli tani me terror të madh, dhe me licencë për gjykatësit”, tha kreu i selisë blu.

Kryedemokrati vijoi deklaratën e tij për këtë çështje, duke shtuar:

“Thuhet se ka dhe regjistrim. Bashkëshortja e Ramës është e implikuar në diktimin e fituesve të tenderëve. Ish-zv drejtori i përgjithshëm u mor peng se duket se kishte folur në SPAK. U kërkua të tërhiqej dosja ku përflitej Linda Rama. Imagjino të shkojnë në Surrel t’i kërkojnë dokumentet?”. 

Berisha iu përgjigj disa prej pyetjeve, mes të cilave edhe rruga që do ndjekë PD-ja përballë qeverisë.

Ai tha se Rama do e mbrojë Ballukun duke mos pranuar as një mandat arresti të mundshëm ndaj Belinda Ballukut, e njëjta rrugë që ai ndoqi me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

“Rruga e vetme ligjore për PD është vetëm rruga, rruga dhe vetëm rruga. Pasi Gjykata Kushtetuese nën diktatin e Ramës mori kompetencat e GJKKO dhe Apel, nuk do pranohet asnjë mandat arresti nga Rama për Ballukun, ashtu siç u bë me mandatin e arrestit për Saimir Tahirin. Kjo ishte arsyeja pse prokurori nuk e çoi që në fillim kërkesën për urdhër arresti në Parlament. Rama do e rrëzonte, do veprohej si me Tahirin. Ai vonoi mbi një muaj autorizimin për kontrollin e banesës pasi saje qorri, zhduku të gjitha provat”, tha ai.

Dhe më pas shtoi se:

“Prokurori që kërkoi pezullimin e Ballukut zbatoi vetëm ligjin. Prokurori nuk u tërhiq nga presionet dhe kërcënimet, foli me gjuhën e ligjit”, vijoi lideri i opozitës.

Në fund ai akuzoi kryeministrin dhe Gjykatën Kushtetuese për vendimin mbi pezullimin e pezullimit nga detyra të zv/kryeministres së pandehur për tenderin e tunelit të Llogarasë dhe me masë sigurie nga GJKKO.

Berisha tha se Kushtetuesja i dha licencë Ramës për vjedhjet.

“Tani Rama firmosi në Kushtetuese licencën për të vazhduar vjedhjet. Ndaj rruga dhe vetëm rruga është mënyra e duhur për të rrëzuar ata që legalizuan vjedhjet. Të gjitha format e protestës do të zbatohen dhe ushtrohen, betejë për të rikthyer votën e lirë, për shpëtimin e familjes shqiptare nga ligji i sapomiratuar dhe shpëtimi i Shqipërisë nga rrënimi përfundimtar i saj. Është kohë e misionarëve. Derisa të realizojë qëllimin, PD do qëndrojë në funksion të tij. Koha është e misionarëve”, vijoi ai.

Berisha dha edhe një koment për protestën e kryetarit të “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj dhe bllokimit të protestës nga Policia:

“Unë e kam përshëndetur dhe e mbështes protestën e tij të vendosur dhe të drejtë”.

© Panorama.al

Te lidhura