Halimi: Trafikantë droge janë liruar nga burgjet si të sëmurë

Dec 13, 2011 | 13:32

TIRANE – Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, tha dje se ka pasur raste kur sistemi i Drejtësisë ka abuzuar me të drejtën për të mbrojtur shëndetin mendor, duke liruar nga burgu trafikantë droge. Sipas ministrit, gjithë kjo, e arsyetuar me faktin se vuanin nga depresioni mendor në kushtet e burgimit apo të paraburgimit. Deklarata e ministrit Halimi u bë gjatë fjalës së tij në një konference të Institutit Europian të Tiranës, në bashkëpunim me Avokatin e Popullit për një projektligj për shëndetin mendor. Ministri Halimi u shpreh se me këtë reformë vendoset në një ekuilibër të drejtë nevoja për të respektuar të drejtat themelore të pacientit me nevojën e shoqërisë për t’i garantuar siguri publike. Por ai nuk ngurroi të përmendë raste kur sistemi i drejtësisë ka abuzuar me këtë të drejtë. Kanë qenë jo të pakta rastet, kur sistemi i Drejtësisë ka abuzuar me të drejtën për të mbrojtur shëndetin mendor, duke liruar nga burgu persona që kishin të bënin me trafikun e drogës, me arsyetimin se vuanin nga depresioni mendor në kushtet e burgimit apo paraburgimit”, u shpreh Halimi. Ministri përmendi një vendim të tillë të shpallur në Gjykatën e Lezhës e më pas nga Gjykata e Lartë, duke pohuar se i ishte drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme për rastin. “Mora një letër para disa ditësh nga Ministria e Drejtësisë italiane, e cila me kërkonte informacion mbi gjendjen mendore aktuale të një personi të dënuar për trafik droge në Itali dhe të liruar para disa vjetësh nga Gjykata e Lezhës, dhe më pas nga Gjykata e Lartë për shkaqe depresive, me arsyetimin se qelinë e kishte fobi. Është përmendur ky rast edhe në raportet e agjencive të huaja. E kemi çuar këtë çështje edhe në Prokurorinë e Përgjithshme për hetim ndaj mjekëve dhe gjyqtarëve që e kanë liruar, por nuk jam informuar akoma mbi detajet e këtij hetimi”, pohoi Halimi. Duke theksuar luftën ndaj korrupsionit në Drejtësi, ministri u shpreh se: “Dërgimi i sinjaleve të forta në adresë të aktorëve që menaxhojnë drejtpërsëdrejti pushtetin e drejtësisë në këtë vend, nga të gjithë, i bën absolutisht mirë sistemit, pasi do të rrisë pa dyshim nivelin e përgjegjshmërisë ndaj ligjit dhe do të nxisë sistemin të dale nga gjendja dhe të reflektoje për sundimin e ligjit”.     ar.ba

Shkarkimet e mjekëve
Nëntë mjekë ligjorë janë shkarkuar dy vjet më parë, pas një inspektimi të Ministrisë së Drejtësisë. Inspektimi gjeti se persona të akuzuar për trafik narkotikësh dhe madje të dënuar në Itali, ishin liruar në Shqipëri me raporte mjekoligjore sikur të ishin të sëmurë mendorë. Duke përfituar nga parashikimet e ligjit shqiptar se personat e sëmurë nuk mbahen në burg, sipas kontrollit, mjekët ligjorë kanë firmosur raporte false, të cilat u kanë dhënë lirinë personave të akuzuar për vepra të rënda penale. Si pasojë e këtyre abuzimeve, Ministria shkaktoi 9 mjekë ligjorë, ndërsa për implikim në këtë çështje u akuzua edhe Prokuroria. Raporti i shkeljeve iu faturua edhe ish-prokurorit të Përgjithshëm Sollaku për qëndrim të zbutur të Prokurorisë.

© Panorama.al

Te lidhura