Halimi: Rishikim shpërndarjes së gjyqtarëve nëpër gjykata

Jan 19, 2012 | 13:21
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi

TIRANE – Ministria e Drejtësisë do të rishikojë numrin e gjyqtarëve në gjykatat e vendit, me qëllim rishpërndarjen e tyre në varësi të ngarkesës me dosje. Kjo rishpërndarje do të bëhet bazuar në pëlqimin e plotë të togave të zeza. Lajmi u bë i ditur dje nga ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, gjatë fjalës së tij në një konferencë për “Përmirësimin e efikasitetit dhe funksionimin e drejtësisë”, mbajtur në ambientet e Ministrisë. “Jemi në një proces të rishikimit të përgjithshëm të numrit të gjyqtarëve në Shqipëri, duke bërë rishpërndarjen e tyre, bazuar në numrin e çështjeve për shqyrtim në gjykata, dhe jo në bazë të numrit të popullsisë apo territorit, duke rritur numrin e gjyqtarëve në ato gjykata, të cilat kanë një ngarkesë më të madhe, duke garantuar njëkohësisht transferimin e tyre, bazuar në pëlqimin e plotë”, u shpreh ministri Halimi para të pranishmëve. Në fjalën e tij, Halimi theksoi se dixhitalizimi i sistemit gjyqësor do të rrisë përgjegjshmërinë e aktorëve të sistemit të Drejtësisë. “Ne jemi duke përmirësuar sistemin e menaxhimit të çështjeve gjyqësore se bashku me misionin “Euralius”, me qëllim që të bëjmë transparente çdo hallkë të procesit, duke filluar nga shorti dhe deri në ekzekutimin e vendimeve”, tha Halimi. Në vijim, ai shtoi: “Ne do të implementojmë metodën e ‘audio recording’ në çdo rreth, në mënyrë që çdo fjalë, çdo germë, çdo veprim procedural të jetë lehtësisht i verifikueshëm. Synojmë të implementojme brenda këtij viti edhe kamera-video në çdo sallë gjykimi, me qëllimin e vetëm për të garantuar një proces transparent gjyqësor dhe rritje te përgjegjshmërisë ndaj ligjit dhe Kushtetutës, si dhe rritjen e besimit të publikut tek drejtësia”. Komisioni Europian për Efikasitetin e Drejtësisë do të mbështesë Shqipërinë nëpërmjet një projekti pilot që do të zhvillojë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Projekti ka si qëllim zhvillimin e disa mjeteve dhe masave që synojnë të përmirësojnë menaxhimin e kohës në gjykata sipas kritereve dhe metodave optimale, duke ofruar mjete për zgjidhjen e problemit të afateve kohore të procedimeve gjyqësore. Të pranishëm në konferencën e djeshme ishin kreu i Divizionit të Drejtësisë së Komisionit Europian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ), Stephane Leyenberger, përfaqësues të misionit “Euralius”, si edhe përfaqësues të sistemit gjyqësor shqiptar.              ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura