Erling Haland po i mahnit të gjithë duke konfirmuar që në praninë e tij të parë në një Kupë Bote se është një makineri e mirëfilltë golash dhe se është një nga sulmuesit më të mëdhenj në qarkullim.

Norvegjezi ka shifra të frikshme përgjatë të gjithë karrierës së tij deri tani dhe fakti që ato po konfirmohen edhe në Botëror me Norvegjinë, e bëjnë edhe më të madhe bindjen se bëhet fjalë për një talent që shfaqet rrallë në një brez të tërë. Sulmuesi është pjesë e Mançester Sitit, por prej kohësh është përfolur një lëvizje e tij drejt një klubi tjetër, më saktësisht Real Madridit. Dhe sipas një personi që e njeh shumë mirë, presidentit të Borusia Dortmund, Hans Joakim Vatcke, një gjë e tillë do të ndodhë herët a vonë.
“Erling e dashuron Real Madridin dhe nuk e fsheh. mendoj se në një periudhë kohore, pas 2-3 vitesh, do të luajë atje, por jo tani. Do të vijë edhe momenti i tij. Ai nuk ka akord me askënd, ashtu siç është shprehur babai i tij”, tha Vatcke i cili ishte ndër të parët që kuptoi vlerat e sulmuesit kur e transferoi nga Lajpcig te klubi gjerman.
Mançester Siti i ka bërë një kontratë afatgjatë Haland, e cila si teori përfundon pas 8 sezonesh në varësi të klauzolave. Por zgjedhjet e norvegjezit kanë prioritet dhe nëse ai do të kërkojë të largohet nga Siti, sidomos pas lamtumirës së Pep Guardiolës, klubi anglez do të jetë i detyruar të dëgjojë kërkesën e tij.
PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al











