Rémi Cadène, ish-inxhinier i Tesla dhe pjesë e ekipit që zhvilloi robotin humanoid Optimus, ka prezantuar projektin e ri të startup-it francez UMA për ndërtimin e robotit humanoid Northstar, i cili do të synojë fillimisht tregun europian.
Sipas Cadène, roboti është projektuar për t’u përdorur në fabrika, depo logjistike dhe, në të ardhmen, edhe në mjedise shtëpiake. Ai zbuloi se kompania është tashmë në bisedime me rreth 50 klientë potencialë.
“Evropa përballet me kosto të larta të punës dhe plakje të popullsisë, ndaj kërkesa për automatizim pritet të rritet ndjeshëm”, tha ai.
Prototipi funksional i Northstar pritet të prezantohet deri në fund të vitit. Në fazën e parë roboti do të lëvizë me rrota, ndërsa më vonë do të pajiset me këmbë. Ai do të peshojë rreth 40 kilogramë dhe është projektuar për të punuar në mënyrë të sigurt pranë njerëzve.
Northstar përdor inteligjencë artificiale me një sistem të të mësuarit në kohë reale, që i mundëson të mësojë detyra të reja duke vëzhguar demonstrime dhe duke u përmirësuar përmes praktikës, pa pasur nevojë për riprogramim të vazhdueshëm.
Startup-i UMA u themelua vetëm nëntë muajt e fundit nga Cadène së bashku me ish-kërkues të Google DeepMind dhe Hugging Face. Kompania mbështetet nga emra të njohur të teknologjisë dhe investimeve, mes tyre Yann LeCun, Xavier Niel dhe Nico Rosberg.
Cadène parashikon se robotët humanoidë personalë mund të përhapen edhe më shpejt sesa telefonat inteligjentë, pasi në të ardhmen do të jenë në gjendje të kontribuojnë edhe në prodhimin e robotëve të tjerë.
© Panorama.al












