Katër të akuzuarit pranuan krimin: Kishim armë lodër, fitimin e ndamë pranë Drejtorisë së Policisë
“Paratë i ndamë pranë Policisë”

Më 17 shkurt 2010, kur filiali i një banke u grabit me armë në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, publikisht u krijua përshtypja e një krimi të sofistikuar. Grabitësit kishin vepruar shpejt, nuk kishin lënduar askënd, kishin hyrë në bankë kur nuk ishte roja, dhe ishin zhdukur më pas pa lënë gjurmë. Por, kjo grabitje në dukje spektakolare ka pasur plot të meta e prova të lëna aty-këtu në vendin e ngjarjes. Prova që më pas orientuan policinë në hetimin dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes, e cila përfundoi pak javë më parë, me shpalljen fajtorë dhe dënimin e të akuzuarve.
Grabitja
“Ule kokën! Pusho! Lekët!”. Duke shqiptuar me zë të lartë këto fraza dhe me një pistoletë në dorë, dy të rinj të maskuar janë futur mëngjesin e 17 shkurtit 2010 në një filial banke në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë. Në pak minuta, duke kërcënuar me armë punonjëset e bankës, kanë shkuar te kasaforta. Kanë mbushur çantën e tyre me mijëra euro e dollarë dhe janë larguar me një automjet të parkuar pranë bankës. Në ditët në vijim, për ta ka pasur vetëm luks, makina të bukura dhe përgatitje për të realizuar “goditje” të tjera, si dhe një biznes të madh. Gjykata e Tiranës ka zbardhur vendimin gjyqësor të dhënë ndaj një grupi të rinjsh, të deklaruar të fajshëm për grabitjen e disa bankave të nivelit të dytë në Tiranë. Në përmbajtjen e vendimit të gjykatës zbardhet i plotë mekanizmi i grabitjes prej tyre në filialin e bankës së nivelit të dytë “BKT”, në rrugën “Myslym Shyri”. Vendimi në fjalë zbardh përgjimet që kanë dërguar policinë dhe oficerët e Policisë Gjyqësore në gjurmët, e më pas në emrat e autorëve të grabitjes. Fillimisht ata janë “vënë në rreth”, referuar përshkrimeve fizike që kishin dhënë për ta të pranishmit në ngjarje. Më pas, vendosja nën përgjim e numrave të tyre të telefonit si edhe përgjimet ambientale, deri brenda automjetit të njërit prej tyre, u ka nxjerrë në shesh të gjitha “të palarat”. Sipas vendimit të gjykatës, në bisedat mes tyre, të dyshuarit flisnin mbi vjedhjen e bankës në “Myslym Shyri”, si edhe për grabitje të tjera të realizuara prej tyre në banka të tjera në Tiranë.
VENDIMI
Bëhet fjalë për vendimin e shpallur pak javë më parë nga Gjykata e Tiranës, sipas të cilit u dënuan me nga 10 vjet e 6 muaj burg të pandehurit, Admir Zyko, 22 vjeç dhe Fation Deliu, 25 vjeç. Po sipas këtij vendimi, u dënua me 10 vjet burg i pandehuri Markelian Nuro, 20 vjeç. Këta persona u shpallën fajtorë për akuzën e “vjedhjes së bankave dhe arkave të kursimit në bashkëpunim”. Në të njëjtin gjykim, u dënua me 1 vit burg edhe Ervis Domi, 23 vjeç, për akuzën “moskallëzim krimi”. Në Gjykatën e Tiranës ata u gjykuan me kohë të shkurtuar. Për këtë shkak, përfituan uljen e një të tretës së masës së dënimit në dënimin përfundimtar. Gjatë gjykimi, të gjithë të pandehurit pranuan akuzën e ngritur nga Prokuroria. “Nga hetimet paraprake ka rezultuar se dy persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, duke përfituar nga fakti se roja i ShRSF-së i caktuar në detyrë për të ruajtur degën e këtij filiali nuk ndodhej në detyrë, kanë vjedhur një shumë prej 4 383 000 lekë, 29 810 euro, 13 107 dollarë USA dhe 5 920 dollarë kanadezë”, thuhej në vendimin e Gjykatës në lidhje me një prej vjedhjeve nga grupi.
PERGJIMET TELEFONIKE
Nga përgjimet e realizuara, është arritur në konkluzionin se këta persona shpenzojnë shuma të mëdha lekësh dhe që nuk përputhet me gjendjen e tyre ekonomike. Kjo duket në faktin se kanë porositur një mjet “BMWX6” të vjedhur jashtë shtetit, si dhe kërkojnë të marrin një sipërfaqe toke me qira në Ksamil me qëllim ndërtimin e një lokali restorant. Në bisedën e zhvilluar, në datën 19.03.2010, midis Kelit dhe të dashurës së tij, e dashura i ka kërkuar që të shoh televizionin për vjedhjen e “Raifaissen Bank” (ngjarja ku është arrestuar shtetasi Romeo Leka). Keli (Markeliano Nuro) i është shprehur…”mos fol në telefon për gjëra të tilla”…duke i lënë të nënkuptohet se e dashura e tij ka dijeni për aktivitetin e Kelit dhe se ai tregohet i kujdesshëm në komunikimet në telefon. Paralelisht nga interceptimi i këtyre bisedave, është bërë e mundur dhe konfigurimi i plotë i të gjitha lidhjeve shoqërore të tyre, së bashku me numrat celularë dhe konkretisht: numri 069xxxx660 (I. Temali), 068xxxx067 Admir Zyko(Loku), 069xxxx738 Alfred Z., 068xxxx273 Ervis Domi. Nga këto biseda konstatohet se I., i cili është nga Shkodra, është personi që është porositur nga Keli, Loku dhe Visi për të marrë një automjet tip “BMW X6” dhe për këtë është bërë pagesa e kaparit prej 500 mijë lekësh të rinj, në një lokal pranë Bllokut.
PERGJIMET AMBIENTALE
Me vendim të prokurorit është autorizuar përgjimi në ambiente publike, dhe është arritur të dalë pjesë-pjesë nga biseda, mënyra e kryerjes së vjedhjes së BKT-së. Markeliano Nuro është shprehur se kanë kryer gjithashtu vjedhjen e bankës në Laprakë edhe vjedhjen e NBG në autostradë, si dhe vjedhjen e filialit të “Raifaissen Bank” në Laprakë. Në këto përgjime flitet mbi disa detaje që kanë të bëjnë me mekanizmin dhe autorët. Në vijim të këtij përgjimi, Markeliano Nuro shprehet se në vjedhjen e bankës BKT ka marrë pjesë dhe një person, i cili nuk përmendet si emër, por qe ka një lokal në zonën e Tresh-it dhe që punon në lokalin e tij dhe se disponon një automjet tip “Golf 4” me ngjyrë të zezë dhe targa të Tiranës. Ky i fundit ka qenë dhe njeri prej personave që ka hyrë në bankë dhe më pas me automjetin e tij autorët janë larguar. Nga të dhënat dhe informacionet e marra, ky person quhet Fatjon Deliu, i cili ka pasur në pronësi një “Golf 4”, me ngjyrë të zezë me TR. Aktualisht, ky automjet është shitur dhe e ka një person tjetër. Me këtë automjet autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së vjedhjes me armë të BKT-së. Po ashtu, nga ky përgjim del se Markeliano Nuro ka qenë personi i cili ruante përjashta përballë derës së BKT-së, ndërkohë që në ambientet e brendshme ka hyrë i armatosur Fation Deliu me Admir Zykon. Ky i fundit mbante me vete një çantë shpine, në të cilën ka futur lekët e vjedhura. Ermali me Admirin janë larguar me automjetin “Golf”, ndërkohë që Markeliano Nuro është larguar në këmbë, e që të tre janë takuar te një ambient zyre në lokalin e këtij të fundit që ndodhet pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë. Në transkriptimin e kësaj bisede jepen detaje mbi sasinë e lekëve, prerjet e tyre, vendndodhjen etj. Është arritur të mbahet nën vëzhgim shtetasi Markeliano Nuro, dhe ka rezultuar se në tri ditë, konkretisht në datat 17,18,19, ky shtetas ka ndjekur nga pas punonjësin e një kompanie sallami që grumbullon lekët nga pikat e shitjes, me qellim njohjen e rrugës që ky do të bënte deri te firma e që në vazhdim, së bashku me shokët e tij, të organizonte “punën” për vjedhjen e shumës, që punonjësi do të grumbullonte nga pikat e shitjes. Me vendimin nr.181 , datë 19.03.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është vendosur lejimi i përgjimit në ambient privat i bisedave që do të kryheshin në mjetin me targë TR2630G, që i përket shtetasit Markeliano Nuro. Më datë 23.03.2010, nga Njësia e Depërtimit është bërë e mundur vendosja e pajisjes së përgjimit GSM në këtë mjet, dhe nga përgjimi i bërë ka rezultuar se grupi po përgatitej të kryente vjedhjen me armë të një personi që grumbullon lekët e karburantit “Bolv Oil” si dhe po grumbullonte të dhëna për të vjedhur filialin “Raifaissen Bank” në rrugën e Kavajës.
DEKLARIMI I ADMIR ZYKOS
Me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, i pandehuri Admir Zyko, i cili ka deklaruar midis të tjerash se: “E pranoj akuzën. Jam dorëzuar vetë, pasi kam qenë i sëmurë. Vjedhjen e bankës BKT në rrugën Myslym Shyri, më datë 17.02.2010 e kam kryer me shtetasit Markeliano Nuro dhe Fation Deliu. Në bankë jam futur unë me Fationin, ndërsa Markeliano ka qëndruar jashtë. Më pas, kur kemi kryer vjedhjen jemi larguar nga vendi i ngjarjes me makinën tip “Golf 4″ me ngjyrë të zezë të shtetasit Fation Deliu. Gjatë kryerjes së vjedhjes, shtetasi Fation Deliu ka mbajtur dhe një kufje në vesh, me të cilën komunikonte me shtetasin Markeliano Nuro. Shtetasin Ervin Domi e njoh pasi jemi rritur bashkë që të vegjël. Ai është kushëriri i Markelian Nuros”.
DEKLARIMI I FATION DELIUT
Më datë 13.12.2010 është pyetur si person ndaj të cilit zhvillohen hetime, shtetasi Fation Deliu nga oficeri i Policisë Gjyqësore. Midis të tjerash, ka deklaruar se: “…në lidhje me ngjarjen e vjedhjes së BKT, dua të shpjegoj se para ngjarjes, rreth dhjetë ditë rresht më ka ardhur në lokal shtetasi Admir Zyko dhe më thoshte që të kryenim një punë, duke më thënë se duhej të vidhnim një bankë. Unë i kisha një borxh djalit të xhaxhait, borxh që unë e ndieja se duhet ta shlyeja. Rreth një javë rresht, unë së bashku me Admir Zykon(Lokun) dhe një shokun e tij, Kelin, (Markeliano Nuro) kemi qenë që në mëngjes te rruga “Myslym Shyri”, aty ku ndodhet BKT-ja. Qëllimi ka qenë që të shikonim mënyrën se si do të hynim lëvizjet e rojës së bankës etj. Jemi takuar me Kelin te lokali i tij disa ditë përpara ngjarjes, dhe aty kemi vendosur që unë me Lokun do të hynim brenda, ndërsa Keli do të qëndronte jashtë. Mëngjesin e ditës së ngjarjes, jemi nisur nga Bregu i Lumit, ku unë me Lokun kemi banesat dhe më ka thënë Loku që të shkojmë të marrim te shtëpia Kelin. Kemi shkuar me makinën time tip “Golf 4”, me ngjyrë të zezë për të marrë Kelin te banesa dhe kemi ardhur te rruga “Myslym Shyri”. Kemi parkuar makinën pas bankës dhe kemi shkuar te një stol që ndodhej midis pallateve. Unë kisha veshur një xhup doku me ngjyrë kafe, pantallona xhins ngjyrë blu, ndërsa Loku kishte veshur një kostum sportiv, ngjyrë gri në blu. Duke qëndruar te stoli, në pritje të hapjes së bankës, nuk me kujtohet mirë, Keli ose Loku kanë shkuar në një dyqan ushqimor dhe kanë blerë një lëng portokalli. Unë mbaj në vesh kufje telefoni të markës NOKIA dhe një çadër, pasi binte shi, si dhe një pistoletë prej metali, por që nuk funksiononte. Loku kishte një çantë me vete. Mbasi unë dhe Loku kemi vënë kapuçët, jemi futur direkt brenda. Unë mbaja nën kontroll personelin, ndërsa Loku shkoi direkt te kasaforta. Mbasi Loku del nga kasaforta, ne u larguam dhe mua më ranë kufjet e celularit, dalim dhe largohemi në drejtim të mjetit që kishim parkuar aty afër dhe në një kazan plehrash kam hedhur çadrën. Me mjet kam dalë tek ura “Vasil Shanto”, jam ngjitur lart për nga Drejtoria e Policisë së Tiranës dhe kam parkuar makinën pranë lokalit të Kelit. Me këmbë kemi shkuar pas lokalit dhe aty kemi hyrë në një derë të cilën e dinte Loku. Në atë moment ka ardhur dhe Keli. Brenda në lokal ishte një si vend që kishte furnizim, dhe aty hymë që të tre dhe ndamë lekët. Lekët i numërojmë që të tre dhe shumicën e lekëve i ndajmë në mënyrë të barabartë unë dhe Loku. Lekët ishin në euro, dollarë, paund dhe lekë shqiptare. Sipas llogarisë, unë dhe Loku marrim nga 30 mijë euro secili, ndërsa Kelit i japim 5 milionë lekë shqiptare. Këtë mënyre ndarje e kishim lënë më parë me Lokun, që Keli do të merrte 5 milionë lekë. Unë mbas kësaj jam larguar dhe kam lënë Lokun me Kelin. Nga lekët e vjedhura, pas një muaji i jap borxhin që i kisha djalit të xhaxhait, si dhe 2-3 milionë lekë të vjetra ia jap babait. Dua të them se lekët i kam prishur që të gjitha…”
Po në datën 15.02.2011, është pyetur përsëri nga oficeri i Policisë Gjyqësore me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, i pandehuri Fation Deliu, i cili ka deklaruar midis të tjerash se: “…e pranoj akuzën, në bankë kam shkuar së bashku me Admir Zykon, kurse Markeliano ka qëndruar përjashta në rolin e ruajtësit. Unë dhe Admiri jemi futur brenda. Më pas, Admiri shkoi tek arka ose kasaforta që ndodhej brenda bankës dhe ka marrë të gjitha paratë që ndodheshin aty. Vajzave që ndodheshin aty iu thoshte që të rrinin ulur. Nuk kemi ushtruar dhunë ndaj tyre. Në dorë kam pasur një armë, e cila ishte lodër dhe të cilën e kishte gjetur Admiri, së bashku me dorezat dhe kapuçin. Pasi Admiri mori paratë, dolëm nga banka dhe u takuam me Markelianon, i cili na priste jashtë dhe na ruante. Më pas, që të tre u larguam, ku unë dhe Admiri shkuam te makina ime tip “Golf 4″ e parkuar pranë një shkolle, kurse Markeliano shkoi tek ura e Lanës, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë. Te makina Markeliano mori disa para, shuma e saktë nuk më kujtohet, dhe u largua prej aty. Që prej asaj dite, unë nuk jam takuar as me Admirin dhe as me Markelianon. Markelianon me parë nuk e kam njohur. Dhe unë mora një pjesë të parave, të cilën e kam ndarë me Admirin. Motivi i gjithë kësaj ngjarje, i nxitur nga Admiri, ka qenë gjendja e rënduar ekonomike dhe të disa borxheve që i kisha një kushëririt tim në Itali…”
DEKLARIMI I MARKELIAN NUROS
Më datë 13.12.2010, është pyetur nga oficeri i policisë gjyqësore me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, shtetasi Markeliano Nuro, i cili ka deklaruar midis të tjerash se: “…në lidhje me ngjarjen e vjedhjes së BKT-së dua të shpjegoj se në atë ngjarje kam marrë pjesë unë, Admir Zyko, i cili njihet dhe si Loku, si dhe shtetasi Fation Deliu, i cili është shoku i Lokut. Ka qenë mëngjes. Data nuk më kujtohet saktë, por duhet të kishte kaluar Shën Valentini kur ka ndodhur ngjarja. Këtë bankë e kishim vendosur për ta vjedhur dy javë përpara. Kishim vendosur që bankën ta vidhnim në mëngjes, dhe këtë vendim e ka marrë Admiri dhe Fationi. Ata kishin ardhur me makinën e Fationit dhe jemi ulur pranë një stoli që ndodhej mes pallateve. Fationi kishte veshur rroba të errëta, ndërsa Loku mbante kostum sportiv. Kur afroi ora 08:30, unë jam bërë gati dhe kam qëndruar para “BKT”-së me telefonin gati për të lajmëruar Fationin, pasi ai kishte kufjet. E kam marrë në telefon për t’i thënë se roja e bankës nuk ishte aty. Në këtë kohë është futur Fationi dhe Admiri në bankë me maska në fytyrë. Kur i pashë dhe vete u frikësova dhe mbyll telefonin. Kur ata kishin hyrë brenda, unë marr përsëri Fationin, por ai nuk e hapi. Pas disa minutash, ata dalin dhe largohen në drejtim të mjetit të tyre, që kishin parkuar afër një shkolle. Kur ata u larguan, unë mora një taksi pak më larg bankës dhe vij te lokali im. Pas pak vjen dhe Fationi, i cili hyn nga dera e pasme. Që të tre hyjmë në një dhomë brenda lokalit dhe aty ndanë lekët Fationi dhe Admiri. Unë kam numëruar lekët, por thjesht për ta ditur sa janë. Lekët janë ndarë gjysmë përgjysmë, midis Lokut dhe Fationit. Nuk e mbaj mend sa ka qenë shuma e lekëve që kanë marrë, por mua më kanë dhënë vetëm një milionë lekë të vjetra. Më vonë, Admiri më jep dhe një milion lekë të vjetër. Kur unë kam gjetur përgjuesin në makinë, që ma kishte vendosur policia, kam marrë vesh se lekët ishin të fshehura tek Ervis Domi dhe menjëherë, nga frika, Visi i ka thënë që të merrte lekët. Di që Ervis Domi është vënë në dijeni të ngjarjes pas kryerjes së saj nga ana e Admir Zykos”.
Po më datën 15.02.2011, është pyetur përsëri nga oficeri i Policisë Gjyqësore, me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, i pandehuri Markeliano Nuro, i cili ka deklaruar midis të tjerash se: “…është e vërtetë që kam qenë në vendin e ngjarjes, por nuk kam ditur se do të vidhej banka BKT, shoku im Admir Zyko më tha se do të marr disa lekë që m’i ka dërguar babai nga Gjermania. Më pas, mora vesh që Admiri vodhi bankën. Kisha frikë të tregoja, pasi e kisha shok”.
DEKLARIMI I ERVIS DOMIT
Më datë 13.12.2011, është pyetur nga oficeri i Policisë Gjyqësore, me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, i pandehuri Ervis Domi, i cili ka deklaruar midis të tjerash se: “…jam me banim në rrugën “Teodor Keko”, Tiranë. Unë dua të them se Admir Zykon, Fation Deliun, G.G. dhe Markelian Nuron i njoh. Markelianon unë e kam çun tezeje, Admirin e kam shok, si dhe G. Fationin. Unë nuk kam dijeni se çfarë kanë bërë ata. Unë thjesht kam marrëdhënie shoqërore me Admirin dhe Markelianon, që e kam çun tezeje, ndërsa Fationin dhe G. i kam të njohur. As Markeliano, as Admiri nuk më kanë sjellë ndonjëherë lekë.
VJEDHJA E 17 SHKURTIT
4 383 000 lekë
29 810 euro
13 107 dollarë USA
5 920 dollarë kanadezë
PROVAT
Oficerët e Policisë Gjyqësore nuk kanë lënë t’u shpëtonte asnjë grimë prove materiale në vendngjarjen e 17 shkurtit në bankën te “Myslym Shyri”. “Nga veprimet hetimore të bëra nga oficerët e Policisë Gjyqësore është bërë e mundur të gjendet në pjesën e poshtme të sportelit të arkëtares një kufje plastike e markës ‘Nokia’. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë, janë vënë re lëvizjet e autorëve, veshjet e tyre dhe mekanizmi i ngjarjes. Duke bërë një këqyrje dhe nga jashtë zonës, si dhe duke pyetur kalimtarë përreth u bë e mundur të gjendet në kazanin e plehrave, 80 metra larg hyrjes se bankës, një çadër e gjatë me ngjyrë gri, e cila, sipas pamjeve filmike, është mbajtur në dorë nga njëri prej autorëve”, thuhej në vendim. Po ashtu, si provë materiale është sekuestruar edhe një bidon plastik i një lëngu frutash, që ishte konsumuar nga autorët para grabitjes. Mbetje të pështymës në grykën e saj i janë nënshtruar analizave të ADN-së, dhe janë përfituar dy profile gjenetike mikse, të vlefshme për krahasime me profile gjenetike personash konkretë.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











