Hagë, prokurorët: Arrest për Gedafin, djalin e kunatin e tij

May 17, 2011 | 9:21

Shefi i prokurorëve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë ka kërkuar arrestimin e liderit libian, djalit të tij, Saif al-Islam, dhe kreut të Shërbimeve Sekrete të Libisë, Abdullah Senusi (kunati i Gedafit), nën akuzat për “krime kundër njerëzimit”.Duke paraqitur kërkesën e tij për arrestimet, kryeprokurori, Luis Moreno Okampo, tha se të tre ata formonin një qark të brendshëm, i cili ka dhënë urdhrat për të shtypur protestat paqësore duke urdhëruar sulme me municione të vërteta dhe armë të rënda. “Djali i tij i dytë, Saif al-Islam, është ‘de facto’ kryeministër dhe Abdullah Senusi është krahu i tij i djathtë, ekzekutuesi. Dokumentet tregojnë se si të tre ata kanë mbajtur takime për të planifikuar dhe drejtuar operacionet”, tha Moreno Okampo. Sipas tij, ka prova të drejtpërdrejta, të cilat flasin për akuzimin e këtyre njerëzve për këto krime. Tani, një panel prej tre gjykatësish pritet të vendosë nëse do ta miratojnë arrestimin. Megjithatë, në aplikimin e tij Moreno Okampo argumenton se Saif al-Islam jo vetëm ka nxitur dhunën, por ka prova se ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në makinerinë e represionit në Libi. Në fillim të konfliktit në Libi, zyrtarët perëndimorë, të cilët prej një kohe të gjatë e kanë parë Saif al-Islamin si një reformator “të perëndimizuar”, e kanë portretizuar atë si një kandidat të mundshëm për të drejtuar bisedimet e paqes. Por me thellimin e konfliktit, këndvështrimi për të ndryshoi kur në televizionin shtetëror ai deklaroi se “do t’i shtypim të gjithë deri në plumbin e fundit”. Burimet pranë zyrës së Okampos këmbëngulin se nuk ka pasur presion nga vendet perëndimore për të kërkuar urdhër-arrestin për Gedafin dhe rrethin e tij të ngushtë. “Provat tregojnë se Muamar Gedafi personalisht ka urdhëruar sulme mbi civilët e paarmatosur libianë. Disa nga provat më të forta të Okampos besohet se kanë ardhur nga brenda regjimit të Gedafit. Madje të dielën prokurori ka nxjerrë një deklaratë, ku vlerësonte bashkëpunimin me Tripolin, në një përpjekje të qartë për të nxitur paranojën brenda regjimit, në kërkim për të zbuluar se kush ka spiunuar dhe çfarë. “Gjatë javës së kaluar, zyra e prokurorit ka marrë disa thirrje nga zyrtarë të nivelit të lartë në regjimin e Gedafit, të cilët kanë pasur dëshirë të na ofrojnë informacion”, thuhet në deklaratën e tij. Moreno-Okampo e bëri të qartë se, nëse Gjykata aprovon kërkesën e tij për tre arrestimet, ai nuk do t’i kërkojë NATO-s që t’i zbatojë ato. “Kjo do të jetë një punë kryesisht për autoritetet libiane”, tha ai duke ftuar haptazi anëtarët e regjimit të Gedafit që të kthehen kundër klanit të tij. Gjykata e Hagës është autorizuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së rreth 2 muaj e gjysmë më parë për të hetuar Gedafin.

Sulme në Tripoli

NATO-ja ka sulmuar Lindjen e Tripolit dje, duke shkatërruar një impiant radarësh me raketa. Sipas agjencisë libiane “Jana”, banorë në zonën Tajoura, (15 km larg Tripolit) thonë se kanë dëgjuar të paktën tre shpërthime të fuqishme. Nga ushtarakët libianë u deklarua se shënjestër e sulmeve ajrore kanë qenë objektet ushtarake, por edhe ato civile, duke shkaktuar viktima.

“Naqba”, OKB reagon kundër Izraelit

Kombet e Bashkuara e dënuan dje forcën “vdekjeprurëse dhe disproporcionale” të Izraelit kundër protestuesve të përvjetorit të themelimit të Izraelit, duke e cilësuar atë një cënim të Rezolutës 1701 të OKB-së, e cila dënon çdo lloj dhune mes izraelitëve e palestinezëve. Deklarata erdhi pas një kërkese nga autoritetet e Libanit, të cilat thanë se forcat izraelite kanë qëlluar kundër turmës që po protestonte dhe po tentonte të kalonte kufirin, por i kanë qëlluar në anën libaneze, duke cenuar sovranitetin  vendit. Autoritetet në Bejrut janë në gjendje gatishmërie, në mënyrë që “të mos lejojnë armikun të shkelë sovranitetin sërish”. Një ankesë të ngjashme bëri edhe Izraeli në OKB, por nuk ka pasur reagim ndaj saj. Rreth 12 protestues u vranë të dielën në kufirin me Izraelin, pas të shtënave nga forcat izraelite. Thuhet se mes protestuesve kishte me qindra sirianë. Lideri i Lëvizjes shiite libaneze, Hezbollah, Sayed Hasan Nasrallah, bëri homazhe për viktimat e të lënduarit që u regjistruan një ditë më parë gjatë manifestimeve për kujtimin e Naqba-s (Katastrofa), në kufi me Izraelin. Naqba quhet dita përkujtimore e palestinezëve, e cila përkon me përvjetorin e eksodit të madh pas krijimit të shtetit të Izraelit në vitin 1948. Në këtë përvjetor ka pasur përleshje mes demonstruesve palestinezë dhe forcave të sigurisë izraelite në kufirin me Sirinë, Libanin, në Jerusalem dhe në Rripin e Gazës. Protesta ka pasur edhe në ambasadat izraelite në Lindje. Rreth 350 persona u plagosën në Kajro, Egjipt, pranë Ambasadës së Izraelit duke protestuar kundër këtij vendi dhe marrëdhënieve diplomatike me të.

© Panorama.al

Te lidhura