Hagë, nisi procesi i Greqisë kundër Gjermanisë

Sep 14, 2011 | 11:20

Në Hagë ka nisur gjyqi i Greqisë kundër Gjermanisë, mbi dëmshpërblimin për një prej masakrave më të këqija të nazistëve gjatë Luftës II Botërore, atë të Distomos. Kryeministri Papandreu ka shprehur para pak muajsh përkrahjen ndaj një grupi qytetarësh grekë, që kanë ngritur padi prej vitesh kundër Gjermanisë, për qindra viktimat e pafajshme. Më 10 qershor 1944, në Distomo, koloneli gjerman, Hans Zampel, urdhëroi pushkatimin e 218 banorëve të fshatit, ku mes tyre ishin edhe 20 foshnja dhe 45 fëmijë. Por kishte edhe plot gra e të moshuar. Të afërmit e viktimave kanë kërkuar që prej 24 vjetësh që shteti gjerman t’i dëmshpërblejë ata moralisht dhe materialisht për krimet e ushtarëve të Rajhut të Tretë. Vendimi i Gjykatës greke ishte pro kësaj kërkese, por Gjermania nuk e ka njohur atë, pasi “gjykatat greke nuk kanë juridiksion ndërkombëtar të nevojshëm për të ndjekur penalisht krime lufte të kësaj natyre”. Çështja u fitua edhe pas dërgimit në një gjykatë të Italisë, por Gjermania e ka çuar në Gjykatën Ndërkombëtare. Kompensimet vlerësohen nga 70 deri në 170 miliardë euro, pothuajse sa gjysma e borxhit të Greqisë.

© Panorama.al

Te lidhura