HAGE- Gjykata e Hagës ka rrëzuar kërkesën e Ramush Haradinajt për lirim të përkohshëm. Vendimi është marrë sot me arsyetimin se lirimi i Haradinajt cenon procesin e rigjykimit të pjesshëm.
Haradinaj kishte kërkuar lirim për periudhën kohore 16 dhjetor 2011- 8 janar 2012, ku do të kthehej në shtëpi me rastin e festave të fundvitit.
Rigjykimi i pjesshëm i ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj, Lah Brahimaj dhe Idriz Balaj nisi në muajin gusht të këtij viti.
Tre të akuzuarit ishin liruar më 3 prill të vitit 2008 nga Tribunali, nga akuzat për krime kundër njerëzimit, ndërsa rigjykimi i pjesshëm thuhet se nisi për shkak të paraqitjes së dëshmive shtesë në procesin kundër tyre.
© Panorama.al











