Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, raportoi para Komisionit të Ekonomisë dje lidhur me raportin vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2010. Gjatë raportimit, nga ana e dy deputetëve, Selami Xhepa dhe Sherefedin Shehu, u bënë pyetje lidhur me kostot bankare, masat e BSH për transparencën e bankave ndaj klientëve dhe për borxhin publik të Shqipërisë.
Selami Xhepa: Çfarë ka bërë Banka e Shqipërisë konkretisht për të mbrojtur interesat e qytetarëve në raport me fuqinë e tregut? Çfarë masash konkrete ka marrë BSH?
Ardian Fullani: BSH ka përdorur forma konvencionale dhe jokonvencionale. Kemi hyrë dhe në nivelin mikro të tregut disa herë, duke bashkëpunuar dhe me institucione të tjera të tregut financiar për rritjen e transparencës së produkteve bankare dhe financiare. Mendoj se tashmë ekziston transparenca në produkte. Është përdorur metoda shtrënguese, njëkohësisht janë dhënë penalizime për bankat dhe rregulloret janë shtrënguar sa i përket transparencës së produkteve dhe vendimmarrjes bankare. Masat që po marrim dhe e ardhmja do të jetë pozitive sa i përket ndërgjegjësimit dhe pjesëmarrjes sa më aktive të klientit në jetën financiare në vend.
Sherefedin Shehu: Do të isha i interesuar lidhur me këtë dilemën investime të larta dhe borxh i lartë, apo tkurrje e investimeve, sepse vërtet nënvizuat që janë tkurrur, por dhe ky është një debat që po bëhet edhe në botë lidhur me uljen e stimulit apo rënien drastike të stimulit fiskal për të ulur barrën e borxhit dhe deficit. Cili është mendimi juaj për Shqipërinë? Shqipëria, kam përshtypjen, që është në nivele të moderuara dhe ndoshta kushtet e saj kërkojë një nivel më të lartë borxhi. Nuk e di, ndani dhe ju të njëjtin mendim?
Ardian Fullani: Kam theksuar vazhdimisht që Shqipëria gëzon stabilitet të plotë financiar, gëzon shëndet dhe njëkohësisht përmenda një frazë që është sa delikate, aq dhe e rëndësishme, që duhet të rrisim konsumin në vend. Ekzistojnë të gjitha mundësitë për ta rritur konsumin në treg. Oportunitetet janë në treg, le të përfitojmë nga këto mundësi. Mendoj që ndërgjegjja është e plotë si nga sistemi bankar, ashtu dhe nga agjentët, njëkohësisht nga politikëbërësit për të dhënë kushtet e përshtatshme, për të dhënë një zhvillim të mëtejshëm të konsumit në disa nga degët kryesore. Shqipëria gëzon një inflacion nën kontroll. Një borxh publik në nivele të përshtatshme relative dhe nën kontroll (pasi bën një përmbledhje për situatën e eksport-importeve në vend, guvernatori theksoi se qeveria duhet të përqendrohet në investimet e suksesshme dhe efektive në infrastrukturë dhe energji). Të vazhdojnë të japin stimujt e domosdoshëm për konsum, për një rebalancim të strukturës së investimeve dhe shpenzimeve, duke e mbajtur borxhin total nën kontroll dhe deficitin. Mendoj që dakordësia jonë brenda vendit për të mbajtur këta parametra mjaft të rëndësishëm si inflacioni, borxhi i brendshëm, deficiti, që janë shumë të rëndësishme. Në kushtet kur vazhdojmë të kemi një deficit të larë dhe njëkohësisht (me gjithë axhustimin ndër vite), mendoj që akoma nuk jemi jashtë “rrezikut”. Duhet të jemi të kujdesshëm në kuadrin e zhvillimeve rajonale, të cilat, për një periudhë afatmesme, për të qenë elegantë, do të prodhojnë risqe. Kështu që detyra jonë është që të jemi të kujdesshëm.
Sherefedin Shehu: Pyetje lidhur me kostot bankare?
Ardian Fullani: BSH është e opinionit që mbas disa ristrukturimeve të nevojshme gjatë këtij 6-vjeçari për të krijuar efektivitetin dhe transparencën bankare, sot niveli i komisioneve përsa i përket valutës është në ekuilibër me nivelin botëror. Sa i përket nivelit në lekë, është nën kosto.











