SHKUP- Vendoset gurthemeli për ndërtimin e sheshit “Skenderbeu” në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.
Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, zëvendëskryeministri Musa Xhaferi, kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti dhe personalitete tjera.
Vendosja e këtij gurthemeli çeli fillimin e manifestimeve për përkujtimin e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar dhe Ditës së Flamurit.
Pjesëmarrësit në këtë ceremoni kanë vendosur kurora lulesh pranë përmendores së Skenderbeut në Shkup, në shenjë përkujtimi me rastin e 544 vjetorit të vdekjes së tij.
Organizator i këtij manifestimi ishte Këshilli organizativ për 100 vjetorin, ndërsa realizues ishte komuna e Çairit dhe Lëvizja “ZGJOHU!”. (INA)
© Panorama.al











