40-vjeçari, të cilit iu besua drejtimi i skuadrës balugrane në vitin 2008, ku ka marrë plot 12 trofe me Barcelonën, konsiderohet, deri tani, trajneri më i suksesshëm në historinë e klubit katalanas. Pavarësisht se e ka shijuar suksesin edhe si mesfushor në vitet ’90, Guardiola thekson se karriera e mirë si lojtar nuk është përcaktuese për të qenë edhe një trajner i suksesshëm, duke e ilustruar këtë me shembullin e njeriut në stolin e Realit të Madridit, Hoze Mourinjo. “Nuk është e nevojshme që të kesh luajtur futboll për t’u bërë një trajner i madh, – tha Guardiola për “AS”. – Arrigo Saki e ka ndryshuar këtë sport si trajner pa luajtur fare, edhe Hoze Mourinjo, i cili është ndoshta trajneri më i mirë në botë. Kjo është jeta. Si lojtar, unë nuk kam pasur ndonjë aftësi fizike, por kam mbijetuar: më kanë forcuar aftësitë e të tjerëve, rivaliteti, konkurenca në futboll.”
Guardiola ka thënë se në disa raste ka menduar se mund t’i japë fund rolit të tij si trajner në “Camp Nou”, duke shtuar se gjithmonë është më mirë ta lësh një detyrë si fitues. “Kur isha lojtar nuk pata dilema për t’u tërhequr nga futbolli i luajtur. E kuptova se kishte ardhur momenti, kur nuk mund të jepja më. Isha i lodhur dhe thashë mjaft. E di se kjo funksionon edhe për një trajner, në një skuadër. Pra, situata duket deri diku e njëjtë. E di se do të vijë dita, në të cilën do të ndihem i lodhur dhe do ta lë këtë punë. Ka shumë trajnerë që shkarkohen, i tillë është profesioni ynë, por mua do të më pëlqente të zgjidhja vetëlargimin, nëse jam duke humbur. Tani për tani ndihem mirë të Barcelona, sukseset nuk kanë munguar, por e di se gjërat nuk do të jetë gjithmonë kështu.”











