Pep Guardiola ka deklaruar se trofeu i Kupës së Botës për klube është i preferuari i tij. Ai pohon se e ka të vështirë që ta pranojë dështimin në kompeticionin që po zhvillohet në Japoni. “Ne kemi arritur deri këtu, pasi kemi fituar dhe e kemi merituar. Lojtarët kanë bërë një punë të shkëlqyer dhe unë jam shumë i lumtur që marr pjesë në Botërorin për Klube. Por, dua të theksoj se ky është edhe trofeu që unë pëlqej më shumë. Nuk dua që ta humbas shansin për të triumfuar në edicionin e këtij viti. Të marrësh pjesë është shumë e vështirë dhe të mos fitosh, kur të jepet mundësia që të marrësh pjesë, është fatkeqësi”, u shpreh Pep Guardiola. Skuadra e tij do përballet sot me rivalët nga Katari, Al Sad, ndeshje e vlefshme për gjysmëfinalet e Botërorit të Klubeve. “Çdo ekip pjesëmarrës është më i forti i kontinentit të tij dhe pa diskutim që nuk ka për të qenë një mision i lehtë për ne. Jam i bindur që futbollistët do hyjnë në fushë të motivuar maksimalisht dhe do mundohen të bëjnë sa më pak gabime”, shtoi kreu i pankinës katalanase. Gjithsesi, ai ka zbuluar edhe një problem për kampionët e Europës. “Ndryshimi i orarit ka qenë diçka negative. Jemi munduar të përshtatemi, por ka qenë tepër e vështirë. Ka pasur futbollistë që janë zgjuar nga gjumi në orën 3 ose 4 të mëngjesit dhe kjo për shkak të regjimit që janë mësuar në Europë. Por nuk mund të jetë një justifikim për të zhgënjyer në fushën e lojës, pasi jemi profesionistë”, përfundoi deklaratën e tij Pep Guardiola, i cili e ka fituar edhe më parë trofeun e Botërorit për Klube, pikërisht në vitin 2009.
David Vila
David Vila nuk po kalon një moment të suksesshëm me Barcelonën, pasi nuk është aktivizuar shumë kohët e fundit. Sulmuesit spanjoll i kanë zënë vendin në formacion Aleksis Sançez, Fabregas, apo edhe Kuensa. Në fakt, e përditshmja iberike “Marca” bën të ditur se futbollisti 30-vjeçar është nxjerrë në shitje nga klubi katalanas. Jo vetëm që ai nuk është në një rendiment të mirë fizik, por përflitet edhe se ka pasur konflikte me Mesin, çka ka ndikuar edhe në ftohjen e marrëdhënieve me drejtuesit.
Aziatikët
Trajneri uruguaian i ekipit Al Sad të Katarit e ka cilësuar si ndeshje historike përballjen me Barcelonën. “Më duhet një formulë magjike për t’i mundur. Do u kërkoj nder drejtuesve të futbollit, që të më lejojnë të aktivizoj 15 futbollistë, pasi vështirë se do kem shanse ndryshe. Kemi përballë një kundërshtar tepër të fortë dhe është logjike që shanset tona janë minimale. Gjithsesi, jemi të motivuar maksimalisht, pasi bëhet fjalë për një ndeshje historike”, u shpreh trajneri Fosati.
Santos
Santosi ka prerë biletën për në finalen e Botërorit të klubeve. Skuadra nga Brazili mundi me rezultatin 3-1 vendësit e Kashiva Rejsol, falë golave të Nejmar dhe Borges në pjesën e parë dhe Danilo në pjesën e dytë. Golin e vetëm për skuadrën japoneze e shënoi Sakai në minutën e 54-t. Sot pritet ndeshja tjetër gjysmëfinale dhe me shumë gjasa finalja e 18 dhjetorit do jetë Barcelona-Santos, ku pritet me interes dyluftimi mes argjentinasit Lionel Mesi dhe brazilianit Nejmar.











