Grushte mes drejtorit të KQZ dhe avokatit të PS

May 19, 2011 | 11:00
erfaqesuesi ligjor i PS ne KQZ Genc Gjoncaj, duke u konfrontuar me Drejtorin e KQZ Alfred Spahiu

Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për miratimin e projekt aktit për rezultatin në Tiranë degjeneroi në përplasje fizike mes stafit të KQZ-së dhe përfaqësuesve të Partisë Socialiste.Ndërkohë që godina ku zhvillohej mbledhja ishte e rrethuar me militantë dhe deputetë të PS-së, brenda saj me katër vota pro u kalua në parim akti, i cili pezullonte nxjerrjen e rezultatit në Tiranë deri në mbylljen e numërimit të kutive të njësive bashkiake. Mbledhja filloi në orën 10:00, u ndërpre 2 orë në drekë dhe më pas vazhdoi deri në 23:30. Pas miratimit të aktit, kryetari Arben Ristani u kërkoi punonjësve të administratës të bënin gati hapjen e kutive për të numëruar të gjitha votat që ishin hedhur në kutinë e gabuar. Kjo kërkesë e kreut të KQZ-së tensionoi situatën në sallë, ku përfaqësuesit e opozitës në tavolinën e punës, ashtu edhe në atë partive, e kundërshtuan. Sipas përfaqësuesve të PS-së, votat e evidentuara në kutinë e gabuar ishin deklaruar nga KZAZ-të si të pavlefshme dhe, si të tilla, ato nuk mund të numëroheshin. Ndërsa anëtarët e djathtë në KQZ deklaruan se për këtë rast ata ishin në rolin e KZAZ-së së Tiranës dhe, për këtë rast do të hapnin vetëm kutitë ku ishin lënë gjurmë se kishte vota të hedhura në kutinë e gabuar. Pas pak minutash erdhi kutia e parë, e cila i përkiste Njësisë Bashkiake Nr. 3. Teksa panë dokumentacionin, përfaqësuesit e PS-së konstatuan se kutia kishte një votë më shumë seç kishte votues. Duke i rënë tavolinës dhe përplasur këmbët, ata kërkuan që kutia të mos hapej. Anëtari i KQZ-së, Artan Laze, pengoi për një kohë të gjatë punonjësit e administratës të hapnin kutinë. Pranë tij shkoi edhe përfaqësuesi i PS-së, Eridian Salianji, i cili pas një shtyrjeje me drejtorin e Komisioneve të KQZ-së Alfred Spahiu, u godit me kokë nga ky i fundit. Pas këtij momenti, ndërhynë menjëherë truprojat e KQZ-së dhe përfaqësuesi tjetër i PS-së, Genc Gjonçaj, ndërkohë që Salianji tentoi ta godiste sërish drejtorin, por pa ia arritur. Gjatë mbledhjes, edhe në një situatë tjetër Salianji pati një moment të tensionuar me përfaqësuesin e LSI-së, Ylli Manjani, i cili i gjuajti me një top letre, por që përfundoi tek Gjonçaj. Pas sherrit për hapjen e kutisë, stafi i KQZ-së e rrethoi me një shirit me logon e këtij institucioni vendin ku do të numëroheshin votat për të penguar Lazen, i cili gjithsesi e hoqi shiritin dhe u ul në vendin e tij. Gjatë mbledhjes, anëtari Klement Zguri u shpreh se synimi i KQZ-së përmes aktit të miratuar është që të numërohen të gjitha votat. “Kanë dy vjet që thonë të hapen kutitë, edhe ne sot këtë po kërkojmë. Duam që votat e shqiptarëve të numërohen. Nuk mund të jenë të pavlefshme fletët e votimit që janë hedhur në kutinë e gabuar”. Ndërsa nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, u shpreh se akti është tërësisht i paligjshëm. “Ky akt i bën zgjedhjet e pavlefshme. Ai bie ndesh me Kodin Zgjedhor. Kjo do të thotë të shkojmë në zgjedhje në një datë të re. Akti parashikon që KQZ-ja të grisë tabelat e nxjerra nga KZAZ-të”.

Replikat dhe sharjet në KQZ

Artan Laze: Kjo mbledhje u shty për shkak të një karrigeje. Këtë situatë do ta marrë “Portokallia” dhe ta bëjë skeç. I bëj thirrje drejtorit të policisë të mos e keqpërdorë Policinë.
Arben Ristani: Vazhdojmë punën me aktin.
Artan Lazaj: Shpall edhe rezultatin, se ajo të ka mbetur.
Genc Gjonçaj: Ristani thotë që shqetësohet për votën e qytetarëve. Në fakt, ai shqetësohet vetëm për një njeri që nuk i thotë dot nuk fitove.
Ylli Manjani: Ça janë këto deklarata?
Eridian Saliani: Ça ke që flet, ik mos na çaj trapin.
Manjani e gjuan me një top letre, por letra prek Gjonçajn.
Pandeli Varfi: Thuaj atij djalit (për Manjanin) të mos ndërhyjë.
Artan Laze(I drejtohet Zgurit): Bravo ju qoftë, po tallni menderen me këtë popull. U vranë 4 njerëz dhe u plagosën 30 të tjerë. Ju paguajnë për të punuar, ju talleni.
Klement Zguri: Turp të kesh!
Artan Laze: Ku do ma tregosh turpin? Zoti kryetar, nxirrini jashtë personat e paautorizuar!
Arben Ristani: Kush është dakord në parim me aktin? 4 pro, miratohet në parim.
Artan Laze: Këtu u katandis kjo punë.
Eridian Salianji: Kryetar, je i marrë peng.
Artan Laze: Po çfarë bëni kështu more? Qeshni qeshni, se bumerang për fëmijët tanë do të jetë.
Arben Ristani: Gjithçka do të jetë transparente. Ulu (i drejtohet Salianjit), se të bën dëm për shëndetin.
Njazi Kosovrasti: Genci, “dua të shoh votën time”, e harrove?
Genc Gjonçaj: Si nuk shembet kjo ndërtesë e tu zërë brenda.
Arben Ristani: Eridian, na lër të qetë të punojmë.
Eridian Salianji: Nuk je i qetë kryetar, se je i marrë peng. Ty të kanë marrë peng atje tek Rruga e Elbasanit.
Genc Gjonçaj: Sa keq ju paska shtrënguar shefi i madh, qenka keq puna.
Eridian Salianji (i drejtohet Ristanit): Do shpëtosh një ditë apo dy ditë, por është gjithë ai popull që të pret aty. Do e kesh te dera e shtëpisë ose në Greqi apo Itali, ku të arratisesh.
Genc Gjonçaj: Edhe Enveri i bënte më të mira zgjedhjet se ju.
Administrata përgatitet të hapë kutinë e parë.
Arben Ristani: Të lutem largoje atë qerosin (për Salianjin) që aty, hiqe që andej.
Salianji dhe Laze ngrihen dhe e pengojnë. Salianji shtyhet me drejtorin e Komisioneve Zgjedhore në KQZ, Alfred Spahiu, i cili e godet me kokë. Më pas ndërhynë punonjësit e tjerë të administratës dhe përfaqësuesi i PS, Genc Gjonçaj, për t’i ndarë.
Gjonçaj: Pse u gjuan mo, pse i gjuan? Turp të kesh!
Salianji rikthehet dhe tenton të qëllojë drejtorin, por pengohet nga badigardët.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura