Grupi i PS vendos për mosbindje civile, Ruçi: Gati revolta popullore

May 19, 2011 | 10:43

Kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, bëri thirrje për revoltë popullore në të gjithë vendin me në krye Edi Ramën dhe çdo të zgjedhur socialist. Deklarata e Ruçit u bë menjëherë pas mbledhjes që zhvilluan deputetët socialistë dje në mesditë në selinë rozë, menjëherë pas largimit të ambasadorit amerikan në Tiranë, Arvizu. “Sot për ne ka dy rrugë: ose të ulim kokën e t’i nënshtrohemi një diktature të faktit të kryer që vazhdon të vjedhë votën për të vjedhur Shqipërinë, ose të ngrihemi në këmbë të gjithë, në çdo qytet, dhe të përballemi me zemër dhe me trup për të larguar njëherë e mirë këtë diktaturë. Zgjedhja jonë është e qartë. E vetmja rrugë për ne është rruga e revoltës popullore, që nga kryetari i opozitës, deri te çdo deputet e te çdo kryetar i sapozgjedhur bashkie apo komune, ne do të jemi në ballë të revoltës. Apeli ynë për çdo qytetar të ndershëm të këtij vendi është të bashkohet me ne, paqësisht, por vendosmërisht. Shqipëria nuk është Egjipt, Shqipëria nuk është Tunizi, Shqipëria nuk është as Libi. Prandaj në këtë vend s’mund të ketë vend edhe për qytetarë të lirë, edhe për diktaturën që vret, siç vrau sot lirinë. Të gjithë në këmbë, të gjithë në rrugë, të gjithë në betejë për mbrojtjen e lirisë themelore”, u shpreh Ruçi. Për kryetarin e Grupit socialist, vendimmarrja e djeshme e KQZ-së është në kundërshtim të plotë me ligjin. “Ndodhi ajo që nuk duhet të ndodhte, në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, në kundërshtim me interesat e Shqipërisë, në kundërshtim me parimet dhe me vlerat universale të botës demokratike ku duam të integrohemi. Sot, populli opozitar është sfiduar nga një regjim diktatorial dhe kusar që ditën për diell përmbysën rezultatin e parë dhe të dëgjuar nga miliona sy e nga miliona vesh, drejtpërsëdrejti në ekranin e numërimit me një transparencë të paparë në historinë e vendit tonë”, u shpreh Ruçi. Deputetët socialistë zhvilluan dje dy mbledhje të Grupit socialist, për të përcaktuar dhe vendosur mënyrën se si do të protestohet. Në mbledhjen me deputetët, ku i pranishëm ishte dhe Edi Rama, u vendos që duke nisur nga dita e sotme, në të gjitha qarqet e vendit të bllokohen rrugët kombëtare, duke filluar kështu mosbindjen civile të qytetarëve. Deputetët janë udhëzuar që t’i organizojnë anëtarët dhe simpatizantët e tyre që të bllokojnë hyrjen e KQZ-së në mbledhjen e sotme në orën 10:00, ndërsa do të bllokohen dhe rrugët hyrëse të Tiranës, si Rruga e Durrësit, Rruga e Kavajës dhe Rruga e Elbasanit. Po dje pasdite, Rama mblodhi në selinë rozë dhe kryetarët e rinj socialistë të bashkive nga i gjithë vendi, duke u kërkuar atyre mbështetje të deputetëve socialistë dhe nisjen mosbindjes civile. Gjatë kësaj mbledhje është hedhur ideja që protestuesit të bllokojnë rrugët kombëtare nga kalojnë doganat kryesore të vendit, Tepelena, Librazhdi, Durrësi, me qëllim paralizimin e jetës ekonomike në vend, që do të rriste presionin e qytetarëve dhe biznesit ndaj qeverisë. Kjo pritet të aplikohet në ditët e ardhshme, kur mosbindja civile do të kalojë në një fazë tjetër.

© Panorama.al

Te lidhura