Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, gjatë një takimi në selinë e NATO-s në Bruksel me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fog Rasmusen, ka kërkuar ftesën për anëtarësim në NATO në Samitin e Çikagos, me emërtimin aktual të vendit si FYROM. Sipas burimeve të agjencisë INA, “Tashmë janë të qarta zërat se kërkohet anëtarësimi me emrin FYROM, deri në zgjidhjen e kompromisit me grekët për një emër të ri. Me këtë qëndrim ka udhëtuar edhe Gruevski në Bruksel, por vështirë se mund të ketë rezultate”, ka theksuar një zyrtar i lartë i qeverisë në kushte anonimiteti. Anëtarësimi me emrin e përkohshëm FYROM është refuzuar së fundi nga administrata amerikane, e cila ka kërkuar zgjidhjen e kontestimit të emrit.











