Femrat në polici, Burgaj: Tani edhe në RENEA

Nov 23, 2011 | 10:32

TIRANË- Mbështetje për forcimin e rolit të femres në polici dhe përfaqësim i denjë i saj në të gjitha strukturat, deri në terren. Kështu është shprehur sot kreu i përgjithshëm i policisë së Shtetit, Hysni Burgaj gjatë një takimi zhvilluar me ambasadorin e OSBE-së në vendin tonë, Eugen Volfart në kuadër të forumit për rolin e gruas në polici.

Sipas Burgajt tashmë gratë do të gjenden kudo ku ka nevojë policia, edhe në strukturat më speciale si në rastin e forcave RENEA, ku së fundi ka aplikuar edhe një femër. “Kjo është kënaqësi e vecantë, do të keni të gjithë përkrahjen e duhur per tu bërë pjesë e vërtetë e operacioneve të tilla dhe drejtimi juaj do përqendrohet drejt terrenit, atje ku komuniteti shikon, ku ju me aftësitë tuaja dini të komunikoni më me etikë nga gjithë të tjerët”- tha ai.

Ai ka garantuar përkrahjen për të shtuar radhët dhe për të arritur përqindjet e organizatave të tjera, duke shtuar se dy vitet e fundit janë pranuar 132 femra në polici. “Numri duhet të vijë në rritje dhe organizata e policisë do marrë fizionominë që i takon. Ju ftoj të luftojmë mentalitetet e vjetra për t’iu shmangur terrenit, gra duhet të ketë në kufi, në rend, qarkullim rrugor, gjithandej”- tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura