
Tirane – Prokuroria për Krime të Rënda apelon vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila liroi nga paraburgimi dhe la në “arrest shtëpie” shtetasen Lizheta Zharra, 59-vjeçe, e arrestuar me 710 gramë kokainë në mbathje në Portin e Vlorës. Sipas burimeve nga organi i akuzës, Prokuroria ka kërkuar masën “arrest me burg” në seancë, dhe nuk ka qenë dakord me masën “arrest shtëpie”, që u vendos nga trupi gjykues. Me anë të një kërkese drejtuar Apelit, Prokuroria e Shkallës së Parë ka theksuar se masa e përshtatshme për 59-vjeçaren është arresti me burg për shkak të rrezikshmërisë së veprës penale që ajo ka kryer. Prokuroria shpjegon në arsyetimin e saj se 59-vjeçarja Lizheta Zharra ra në pranga në zonën kufitare në Portin e Vlorës, në tentativë për të trafikuar drejt Italisë 710 gramë kokainë, e cila ishte fshehur në veshjet intime të saj. Si rrethanë rënduese, Prokuroria përmend faktin se nga verifikimi në sistemin TIMS, ka dalë se gruaja e arrestuar ka pasur gjatë muajve të fundit fluks lëvizjesh nga Shqipëria në drejtim të Italisë dhe anasjellas. Kështu, nga këqyrja e regjistrit të hyrje-daljeve, mësohet se vetëm gjatë muajit të fundit, shtetasja Lizheta Zharra ka kryer 6 udhëtime nga Shqipëria në Itali. Shumica e udhëtimeve janë kryer me traget, ndërsa nga të dhënat e marra mësohet se gruas nuk i është nxjerrë problem në asnjë nga këto raste, derisa më 29 gusht gjatë kontrollit rutinë u zbulua sasia e drogës në mbathjet e 59-vjeçares. Ajo u arrestua në Portin e Vlorës dhe pas kontrollit iu gjet lënda narkotike e fshehur në pjesët intime të trupit. Policia lokale menjëherë i kaloi aktet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke qenë se vepra penale e kryer ishte trafik ndërkombëtar droge, mbetur në tentativë. Prokuroria e Krimeve të Rënda filloi hetimet dhe kërkoi në Gjykatë masën e sigurisë arrest me burg, por trupi gjykues i krimeve të rënda, vendosi javën e kaluar masën arrest shtëpie, duke e liruar të dyshuarën nga paraburgimi, pasi ajo paraqiti disa raporte mjekësore me pretendimin se vuante nga sëmundje të ndryshme.











