
Bashkëshortja e taksistit të vrarë, Fredi Talelli, refuzoi dje të dëshmojë në seancën e radhës, çka bëri që gjykata të vendosë përjashtimin e saj nga dhënia e dëshmisë.Dje rrëfeu para trupit gjykues pronari i një pike të servisit të makinave nga Elbasani, I. GJ. Me dëshminë e tij është mbyllur edhe paraqitja e dëshmitarëve, ndërsa priten tashmë konkluzionet e prokurorisë dhe të avokatëve mbrojtës, nga ku më pas gjykata do të japë vendimin e saj për 6 të pandehurit e akuzuar për këtë vrasje. Në seancën e djeshme nuk u paraqit për të dhënë dëshminë e saj Enkeleda Talelli, gruaja e taksistit që u vra në muajin nëntor të vitit të kaluar. Ajo kishte shfaqur pakënaqësi në seancat paraardhëse për zvarritje të procesit të gjykimit dhe reagoi ashpër dy seanca më parë, duke kërkuar dënimin me vdekje për autorët. Kjo mendohet se ka qenë arsyeja që ajo nuk ka pranuar të japë dëshminë e saj të kërkuar nga prokuroria dhe për këtë është përjashtuar përfundimisht si dëshmitare. Në këtë seancë paraqiti dëshminë e tij pronari i një pike të servisit të makinave nga Elbasani, edhe ky i thirrur si dëshmitar i prokurorisë. Sipas tij, dy të rinj i kishin shkuar duke i kërkuar t’i shisnin një mjet tip “Benz” me targa gjermane. Mjeti nuk u shit për arsye se të dyja palët nuk ranë dakord për çmimin. Ata i kishin kërkuar 2500 euro, ndërsa pronari i servisit nuk afroi më shumë se 2000 euro. Ky refuzim ka qenë dhe një pikë kthese që i çoroditi autorët e vrasjes dhe bashkëpunëtorët e tyre. Me kërkimet intensive që ndërmori policia e Elbasanit, ata u detyruan ta hedhin mjetin e taksistit të vrarë në lumë, nga ku u zbulua shumë shpejt. Kjo ishte një provë që ngriti dyshime të forta për një krim ndaj taksistit nga Devolli. Pas hetimeve të kryera u arrit të zbulohej shumë shpejt krimi dhe të arrestoheshin autorët, dy prej të cilëve me akuzën e vrasjes së tij, ndërsa katër të tjerë si bashkëpunëtorë për fshehjen e krimit. Autorët ishin nga Devolli, Elbasani dhe Lezha. Pas dhënies së dëshmisë së pronarit të pikës së servisit, Gjykata e Korçës la një datë tjetër për një seancë të parafundit, për dhënien e konkluzioneve të Prokurorisë dhe të avokatëve mbrojtës të të gjashtë të pandehurve lidhur me këtë vrasje. Dje ishin të pranishëm vetëm dy nga gjashtë të pandehurit, Arnest Xhaçka dhe Kastriot Papleka, ndërsa mungonin Elkjero Revani, Domeniko Kumria, Jurgen Zeqo dhe Amarildo Selmani.
Të pandehur
. Arnest Xhaçka
. Elkjero Revani
. Kastriot Papleka
. Domeniko Kumria
. Jurgen Zeqo
. Amarildo Selmani
KORÇE/ GEZIM ASHIMI
© Panorama.al











