
TIRANE – Kupola e Policisë së Shtetit është prekur dje nga ndryshimet e drejtuesve, ku për herë të parë në një post të lartë është emëruar një femër. Anila Hoxha, këshilltare e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, me gradën “Drejtues i Parë”, gruaje e deputetit të PD-së, Fatos Hoxha, është emëruar zv. drejtoreshë e Përgjithshme e Policisë për Trajnimin Policor. Hoxha ka zënë vendin e Ahmet Haxhisë, i cili ka përfunduar mandatin 4-vjeçar dhe është rikthyer me gradën e mëparshme “Drejtues i Parë”, duke u emëruar drejtor i Policisë së Gjirokastrës. Një drejtues tjetër i lartë i Policisë së Shtetit që ka lënë detyrën si zv.drejtor i Përgjithshëm është edhe Rasim Boriçi, i cili ishte në krye të Departamentit të Shërbimeve Mbështetëse, ndërsa dje u emërua drejtor i Drejtorisë së Administratës së Kufirit. Burime zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë thanë se ndryshimet erdhën për shkak të përfundimit të mandatit 4-vjeçar të zv.drejtorëve të Përgjithshëm, siç e parashikon edhe ligji për Policinë e Shtetit. Ndërsa zv.drejtorit të Përgjithshëm Agron Kuliçajt dhe Pëllumb Nakos i është rinovuar mandati edhe me 3 vjet të tjerë, siç parashikohet në ligj. Edhe zv.drejtori i Përgjithshëm për Rendin dhe Sigurinë Publike, Muhamet Rrumbullaku, vazhdon ta mbajë këtë detyrë për shkak se nuk ka përfunduar afatin që parashikon ligji. Për shkak të ndryshimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, ministri i Brendshëm ka firmosur edhe disa emërime të tjera, duke sjellë rokadë në disa drejtori qarqesh. Emri Vata, drejtori i Policisë së Gjirokastrës, i ka lënë vendin Ahmet Haxhisë dhe është emëruar me të njëjtën detyrë në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit. Ndërsa drejtori aktual i Policisë së Elbasanit, Jashar Vreka, është emëruar drejtor i Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Ajet Ibro, drejtor i Drejtorisë së Administratës në Departamentin e Kufirit, është emëruar këshilltar i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, në vend të Anila Hoxhës, e cila tashmë është zv.drejtoreshë e Përgjithshme e Policisë. Burime nga Policia thanë se ky është vetëm fillimi i ndryshimeve në nivel drejtuesish në Policinë e Shtetit, pasi me ristrukturimin e Policisë do të ketë emërime e ndryshime të tjera edhe në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ende nuk bëhen publikë emrat e drejtuesve të lartë që do të largohen nga detyrat aktuale, por sipas Policisë, rokada do të kryhet brenda dy muajve të parë të këtij viti. e.d
6 emerime
të reja janë bërë dje nga Policia e Shtetit në qendër dhe në rrethe. Lëvizjet në Polici filluan me ndryshimet në Drejtorinë e Përgjithshme e pastaj në drejtoritë e rretheve.
© Panorama.alNDRYSHIMET
1. Anila Hoxha, këshilltare e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, emërohet zv.drejtoreshë e Përgjithshme e Policisë për Trajnimin Policor
2. Ahmet Haxhia, zv.drejtor i Përgjithshëm i Policisë për Trajnimin Policor, emërohet drejtor i Policisë Gjirokastër
3. Rasim Boriçi, zv.drejtor i Përgjithshëm për Shërbimet Mbështetëse, u emërua drejtor i Drejtorisë së Administratës së Kufirit
4. Ajet Ibro, drejtor i Drejtorisë së Administratës së Kufirit, emërohet këshilltar i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë
5. Emri Vata, drejtori i Policisë së Gjirokastrës, emërohet drejtor i Policisë së Elbasanit
6. Jashar Vreka, drejtor i Policisë së Elbasanit, emërohet drejtor i Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë











