
Lamtumirën ia dha sikur të ishte një bashkëshort model dhe baba shembullor, por Fiqiri Muça e kishte tradhtuar prej vitesh gruan e tij, Mynyre, ndërsa 5 fëmijët i kishte lënë shpesh pa bukë. Tashmë, me vdekjen e tij prej plumbave të 18-vjeçares Nazime Visha, bashkautore të tradhtisë, ai i la pas familjes edhe një kredi shumëmilionëshe për të paguar… Megjithatë, Fiqiri Muça u varros me të gjitha nderet e fundit nga bashkëshortja e tij. E prekur dyfish nga dhimbja; prej humbjes së babait të fëmijëve, por mbi të gjitha prej shkakut pse u vra, Mynyre Muça hodhi dje grushtin e fundit të dheut mbi arkivolin e bashkëshortit, me fjalët: Ajo (Nazimja) e futi në kurth! Pas ceremonisë së varrimit që u zhvillua në orën 11:00, nëna e papunë e 3 vajzave dhe 2 djemve, më e madhja 20 vjeçe dhe më i vogli 6 vjeç, çeli portën e shtëpisë për ngushëllimet. Në fakt, hapi derën e një dhome të vetme të banesës njëkatëshe, gjysmë e rregulluar. Të transferuar prej 5 vitesh nga fshati i thellë Ketë i komunës Xibër të Burrelit mbi një kodër të Manzës së Sukthit, shtëpia e familjes Muça duket edhe më e trishtë nga brenda. Sytë shkojnë mbi dy divanë të vetëm, të cilët janë dhe shtretërit e 5 fëmijëve. Më i vogli Danieli 6-vjeçar, tregon se si fle aty me motrën. Ndonjëherë me dy motra, atëherë kur më e madhja që është e martuar, vjen të bujtë te shtëpia e prindërve. Vogëlushi, duket se e di fatin tragjik të të atit, madje edhe lidhjen e tij të dashurisë me një tjetër femër, që nuk është nëna e tij. Mbase do të harrojë me moshën emrat dhe historinë, por dje fliste si një shirit magnetofoni, kthyer rishtas: Babain e vrau Nazimja. Në mendjen e tij prej fëmije, ai kishte edhe një tjetër merak: “Pse Nazimes i ka blerë ‘Bravo’, ndërsa mua jo?”. Një pyetje që duket se është krijuar, pasi ka dëgjuar lloj-lloj tregimesh në shtëpinë e tij. Një prej të cilave, ajo më e rëndësishmja, vjen sot në gazetën “Panorama”. Mynyre Muça, bashkëshortja 40-vjeçare e viktimës 45 vjeç, Fiqiri Muça, rrëfehet vetëm pak orë pas mortit…
Si e morët vesh lajmin për vrasjen e bashkëshortit tuaj, Fiqiriut?
E kam parandjerë vrasjen, edhe pse lajmin e mora nga televizori. Që në 6:30 të mëngjesit provova t’i bie telefonit të tij. Herën e parë shkoi një zile, pastaj u mbyll. I rashë prapë dhe më doli i fikur. Atëherë nisa të kem ankth të madh.
Pse ndjenit ankth?
Që kur erdhi ditën e fundit në shtëpi (të dielën) e pashë që nuk ishte aspak mirë. Ishte ora 12:00 e drekës kur erdhi,…
(Rrefimin e plotë të bashkeshortes se viktimes e lexoni ne numrin e sotem te gazetes, Panorama)
Nga e dërguara jonë në Manzë
ELISABETA ILNICA
LEONIDHA MUSAI











