Greqisë i miratohet kësti i gjashtë i kredisë

Dec 5, 2011 | 20:51

Miratohet lëvrimi i këstit të gjashtë të kredisë për Greqinë. Vendimi është miratuar në mbrëmje nga Eurogrupi dhe deklarata është bërë nga presidenti i Eurozonës Jean Claude Juncker, pas përfundimit të punimeve të këshillit të ministrave.

Juncker deklaroi se letrat që mori Eurogrupi nga tre liderët e partive që mbështetin qeverinë e unitetit kombëtar të Greqisë, por edhe nga kryeministri Lukas Papadhimos, e përmbushën plotësisht kërkesën e Eurogrupit për angazhimin me shkrim lidhur me zbatimin e memorandumit dhe vendimeve të 26 tetorit.

Ai vuri në dukje se do t’i dërgojë edhe ai vetë një letër kryeministrit grek, ku do të deklarojë kënaqësinë për angazhimin e qeverisë greke që të konkretizojë vendimet e 26 tetorit.

Sa i përket disbursimit të këstit të gjashtë, me vlerë 8 miliardë euro, Juncker sqaroi se do të realizohet në mesin e dhjetorit, pasi më parë të marrë edhe miratimin nga Fondi Monetar ndërkombëtar (FMN).

© Panorama.al

Te lidhura