Greqia: Të zbatohet pakti detar

Sep 9, 2011 | 10:26
Ministri i Jashtëm grek, Lambrinidis me Kryeministrin Thaçi

Ministri i Jashtëm grek, Stavros Lambrinidis, kërkoi nga Prishtina zbatimin e paktit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë.“Marrëveshja e ujërave ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë duhet të zbatohet. Kjo marrëveshje është e nënshkruar nga dy shtete të lira, prandaj presim që kjo marrëveshje të implementohet”, ka thënë Stavros Lambrinidis, pas takimit me zyrtarë të qeverisë së Kosovës në Prishtinë. Duke iu referuar vizitës në Tiranë, e paralajmëruar për 12 shtator, Lambrinidis shtoi se po shkon në Shqipëri për t`i dhënë përkrahje perspektivës së anëtarësimit të vendeve të rajonit në BE. “Ne dëshirojmë që Shqipëria të jetë sikur vendet në rajon, në një pozitë që të jetë një vend kandidat. Ne dëshirojmë që Shqipëria të ketë perspektivë dhe ardhmëri në BE. Kemi investuar shumë në rajon dhe vazhdojmë të investojmë aty e të kemi marrëdhënie të mira me Shqipërinë”, ka thënë Lambrinidis, sipas gazetës kosovare online “Express”. Deklarata e ministrit të Jashtëm grek vjen 4 ditë para vizitës që ai do të zhvillojë në Tiranë me personalitetet më të larta politike në vend. Lambrinidis dhe Franco Fratini do të jenë në Tiranë në një tentativë për të vendosur dialogun mes forcave politike, si të dërguar të Brukselit zyrtar. Kryediplomatët e dy vendeve fqinje kanë ndër mend t’i kujtojnë Shqipërisë detyrimet ndaj Brukselit dhe t’i kërkojnë përmbushjen sa më të shpejtë të tyre, pasi në tetor Komisioni Europian do të bëjë raportin e vlerësimeve mbi ecurinë e vendit, si dhe do të paraqesë opinionin e tij mbi kërkesën për statusin e vendit kandidat. Së bashku me zotin Sequi, ata pritet të zhvillojnë bisedime me Presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha, ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto, si dhe me kreun e opozitës, Edi Rama.
Ata do të kërkojnë nga palët në Shqipëri angazhim më të madh për plotësimin e rekomandimeve të misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë pas zgjedhjeve të 8 majit. Vizita e ministrit të Jashtëm grek përkon dhe me vizitën e sekretarit të Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme greke, Joanis Aleksandros Zepos, i cili zhvilloi dje takime me ministrin e Jashtëm dhe Kryeministrin Berisha.
Pakti
Më 28 prill 2009, ministri i Jashtëm (i atëhershëm) Lulzim Basha dhe ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis, firmosën marrëveshjen për “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare, që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Sipas kësaj marrëveshjeje, Greqisë do i dhuroheshin rreth 354. 4 km2 sipërfaqe ujore në detin Jon, pjesë e ujërave territorialë të shtetit shqiptar. Më 26 janar 2010, Gjykata Kushtetuese, e vënë në lëvizje nga PS, vendosi shfuqizimin si antikushtetues të paktit shqiptaro-grek.

Regjistrimi

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, priti dje në takim sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, Yannis-Alexis Zepos. Sipas njoftimit zyrtar, të dy zyrtarët folën për mjaft çështje me interes të përbashkët, por mësohet se pjesë e diskutimeve të tyre ka qenë edhe regjistrimi i popullsisë në tetor. “Marrëdhëniet me Greqinë janë substanciale dhe perceptimi publik për to duhet të reflektojë këtë substancë”, u shpreh ministri Haxhinasto.

© Panorama.al

Te lidhura