Në pritje të miratimit të këstit të ri të ndihmës nga FMN-ja dhe BE-ja, qeveria greke ka miratuar dje masa të reja kursimi, të cilat prekin pensionet, pagat, shtojnë taksat dhe tatimet.Pas një takimi të kabinetit qeveritar që zgjati mbi gjashtë orë e gjysmë, një zyrtar foli në kushte anonimiteti, duke detajuar vendimet e reja të qeverisë greke për të plotësuar kushtin e huadhënësve ndërkombëtarë, të cilët nëse nuk e çlirojnë dhënien e këstit të gjashtë të huasë për Greqinë, prej tetë miliardë eurosh, vendi falimenton në muajin tetor. Ndërkohë, FMN-ja ka ndezur alarmin mbi krizën ekonomike, duke kërkuar masa urgje-nte nga Europa dhe SHBA-ja. Në një raport të rregullt mbi stabilitetin global financiar, FMN tha dje se sistemi global financiar është më i cenueshëm tani më shumë se në çdo kohë që ka qenë prekur nga kriza, duke llogaritur që nga viti 2008. Kriza europiane e borxhit po prek sistemin e saj bankar deri në pikën ku bankat mund të tërhiqen nga kreditimet për të ruajtur paratë kesh, gjë që kërcënon të përkeqësojë rritjen ekonomike. Sipas FMN-së, huadhënësit europianë duhet të zbatojnë menjëherë një marrëveshje të arritur në korrik, që siguron fondet për borxhet e rajonit me më shumë fleksibilitet, ndërsa SHBA dhe Japonia duhet të marrin hapa për të ulur deficitet e tyre. “Rreziqet janë rritur dhe koha për të luftuar dobësitë që kërcënojnë sistemin global financiar dhe rimëkëmbjen e ekonomisë po mbaron”, thotë FMN, duke rritur presionin në Europë, që ajo të zgjidhë problemet financiare, që fondi e sheh si kërcënim të madh për ekonominë globale. FMN ka kontribuar me 41 miliardë dollarë në një paketë 150 miliardë dollarëshe shpëtimi për Greqinë, bashkë me huadhënësit europianë në maj 2010. Zyrtarët nga FMN-ja dhe Banka Qendrore Europiane po rishikojnë progresin e Greqisë përpara se të aprovojnë këstin tjetër të huas. Komisioni Europian tha se Greqia ka bërë “përparim të mirë”, që është kusht për marrjen e këstit të ardhshëm të ndihmës. Edhe Portugalia mund të shkojë drejt falimentimit. Kryeministri portugez, Pedro Pasos Koelho, pranoi dje se ekziston rreziku i një falimentimi të mundshëm të shtetit. Që kjo të mos ndodhë, edhe Portugalisë i nevojiten ndihma të reja financiare.
Masat e reja të kabinetit grek
1. Pensionet mbi 1200 euro shkurtohen deri me 20 për qind
2. Ulen pensionet për ish-punonjësit e shtetit që kanë dalë në pension përpara moshës 55-vjeçare
3. Taksë e re mbi pronat e paluajtshme
4. Hiqen nga puna 30000 nëpunës civilë brenda këtij viti, pagat e tyre ulen me 60 për qind
5. Uniformizohen pagat për zyrtarët e administratës publike
6. Rritet tatimi mbi naftën për ngrohje
7. Limiti i të ardhurave të pataksuara ulet në 5000 Euro
8. Përshpejtohet procesi i privatizimit të objekteve shtetërore
Britania diskuton daljen nga Bashkimi Europian
Konservatorët po bëjnë thirrje për një referendum mbi të ardhmen e Britanisë në BE. Një numër gjithnjë e në rritje zyrtarësh konservatorë po kërkojnë që David Kameron të rinegociojë marrëdhënien me Brukselin. Ish-ministri i kabinetit, Xhon Redvud, tha se “pagesat e larta që Mbretëria e Bashkuar duhet t’i bëjë buxhetit europian, transfertat e mëdha që tani po kërkohen për borxhin dhe problemet e euros, si dhe barra e madhe e rregullores së BE-së, po dëmtojnë ekonominë tonë. Ndërhyrja konstante e ligjvënies europiane në shumë vendime të qeverisë sonë minon vlerat demokratike të qeverisjes lokale dhe kombëtare”. Edhe dy nga këshilltarët më të afërt të Kryeministrit Kameron, guruja strategjik, Stiv Hilton dhe ministri i kabinetit, Oliver Letuin, janë të bindur se Britania duhet të marrë në konsideratë të largohet nga BE-ja, dhe ish-pretendenti për kryesinë e konservatorëve, David Davis, ka bërë thirrje për një referendum. Sekretari i thesarit, Deni Aleksander, këmbëngul se me eurozonën në krizë, tani ishte koha për të kërkuar një marrëveshje të re me BE-në. Por kreu i Liberaldemokratëve, Nik Kleg, tha se qeveria duhet të fokusohet më shumë në “rolin” e saj për të shpëtuar eurozonën, sesa të përpiqet të negociojë një marrëveshje më të mirë për Britaninë në BE.











