
Krizë ekonomike, ‘kërcënime’ për t’u nxjerrë jashtë Eurozonës, presione të vazhdueshme për masa kursimi që pasohen me greva kombëtare dhe së fundi, “përjashtimi” nga Schengen-i. Kjo është panorama e fundit e Greqisë.Bashkimi Europian pritet të propozojë të premten një mekanizëm për të përjashtuar disa vende nga marrëveshja Schengen, duke i vënë gishtin së pari Greqisë, me synimin për të rritur presionin mbi ndalimin e kalimit të emigrantëve ilegalë nga ky vend në bllokun europian. Sipas “Financial Times”, në BE është diskutuar prej kohësh që Greqia ka qenë hallka më e dobët e bllokut europian për sa i përket kontrollit të kufijve. Në pjesën lindore të saj, e cila kufizohet me Turqinë, hyjnë pjesa më e madhe e emigrantëve ilegalë, të cilët kalojnë në vendet e tjera të bllokut si qytetarë të BE-së, pasi në zonën Schengen nuk ka kontroll të pasaportave. Marrëveshja Schengen u arrit në vitin 1995, dhe lejon lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave brenda BE-së. Kur Komisioni Europian të zbulojë propozimin, sipas FT, pritet të tregojë atë që zyrtarë në Bruksel kanë diskutuar fshehtas mbi “klauzolën greke”, një masë e cila kërkon përjashtimin e përkohshëm të këtij vendi nga Schengeni, duke rivendosur kontrollin e kufijve. Hugo Bradi, nga Qendra për Reforma Europiane, tha se “Çdo lëvizje për të përjashtuar vendet qartësisht ka në shënjestër Greqinë, mes të tjerësh, e cila ka qenë një problem në Schengen që në vitin 2000, kur u bë pjesë e bllokut”. Të dhënat tregojnë se nga 104000 emigrantë që kalojnë ilegalisht në BE në 2010-n, rreth 88000 kanë hyrë nëpërmjet kufijve të Greqisë. Edhe pse Malta e Italia kanë shërbyer si porta emigrantësh ilegalë, Greqia pritet të shënojë rekord hyrjesh të emigracionit ilegal edhe për vitin 2011. Propozimet e Komisionit do të realizoheshin për t’u përdorur si një mjet i fundit, pasi një vend anëtar të kishte dështuar në detyrimet e tij ndaj ndihmës europiane. Dhe Greqia shihet si një vend në buzë të greminës. Greqia ka humbur simpatinë e vendeve të tjera të BE-së edhe për mënyrën e trajtimit të emigrantëve. Nga të gjitha kërkesat për azil, ata pranojnë vetëm një për qind të tyre, ndërsa Suedia p.sh. pranon 70 për qind. Për shkak të shkurtimeve të buxhetit, Greqia nuk mund ta trajtojë më kontrollin e kufijve si prioritet.
120 per qind
e GDP-së është borxhi i brendshëm i Italisë. Qeveria e Berluskonit fitoi dje një votëbesim i cili, nëse nuk rezultonte i suksesshëm, do ta detyronte atë të jepte dorëheqjen, nëse humbiste paketën e masave të kursimit.
Skandali i berluskonit
Silvio Berluskoni u përfshi në një tjetër skandal mbrëmë, pas publikimit të deklaratave të tij fyese kundrejt Kancelares gjermane, “shpëtimtares” së vendit të tij dhe Eurozonës nga kriza e borxhit, Anxhela Merkel. Kryeministri italian, 74 vjeç, akuzohet se ka bërë një koment të neveritshëm për të gjatë një bisede telefonike me një redaktor gazete. Deklarata e tij, e konsideruar shumë e neveritshme për t’u përsëritur, i referohet seksit dhe fizikut të zonjës Merkel, dhe u zbulua gjatë hetimit të prokurorëve mbi një shantazh-komplot kundër Berluskonit.











