Greqia hap burgjet, përfitojnë shumë shqiptarë

Dec 16, 2011 | 14:21

Ministri i Drejtësisë, Miltiadhis Papajoanu do të paraqesë sot në parlamentin grekë një amendament që parashikon lirimin e qindra të burgosurve të dënuar deri me dhjetë vjetë burg.

Siç informojnë mediat greke kjo lëvizje bëhet për shkak të mbipopullimit të burgjeve greke të cilat mund të mbajnë deri në 9.700 të burgosur ndërkohë që numri aktual i të burgosurve është 12.200, gjë që do të thotë se burgjet janë të mbipopulluara me 2.300 persona më shumë dhe kushtet për jetesën e tyre janë të rënda.

Nga 12.200 të burgosur 7000 janë të huaj dhe prej tyre 4000 janë dënuar për trafik droge.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë 60% e të burgosurve nuk mund të paguajnë as produktet më elementare për higjenën personale, madje 800 prej të burgosurve do të ishin liruar nëse kishin para për të paguar dënimin e tyre.

Me këtë amendament pritet të lirohen qindra të burgosur prej të cilëve shumë shqiptarë të cilët janë dënuar deri me dhjetë vjet burg. Në këtë amendament nuk përfshihen dënimet që kanë të bëjnë me interesat ekonomike të vendit, korrupsion, abuzim me paratë shtetërore apo mospagim të taksave, si dhe për rastet e të akuzuarve për terrorizëm.

Amendamenti është i përkohshme dhe do të aplikohet vetëm një herë dhe nuk do të zgjasë për periudhë të madhe.

Në këtë vendim do të përfshihen:

-Personat që janë dënuar deri në 10 vjet burg, me kusht që personi i dënuar deri në tre vjet duhet të ketë bërë 1/10 e dënimit, për ata që janë dënuar deri në 5 vjet burg, duhet të kenë kryer 1/5 e dënimit, ndërsa ata që janë dënuar deri në 10 vjet burg duhet të kenë kryer 1/3 e dënimit.

-Të miturit e dënuar deri në 10 vjet duhet të kenë kryer 1/3 e dënimit, ndërsa për dënime mbi tre vjet, duhet të kenë kryer 1/5 e dënimit.

-Të gjithë ata që do të lirohen gjatë këtij ndryshimi dhe do të kryejnë vepër penale brënda 3 viteve të ardhshme, atëherë do të kryejnë të gjithë dënimin pa asnjë falje.

-Pezullohen dënimet deri në një vit, që janë vendosur me vendime të nxjerra para publikimit të ligjit të ri, në rast se janë bërë të pakthyeshme. Vendimi përfshin vepra penale të “vogla”.

Sipas ministrisë së Drejtësisë, filozofia e këtij ligji është lirimi nga burgu i personave që nuk cilësohen rrezik për shoqërinë, por edhe për ata që nuk kanë mundësi të paguajnë dënimin e tyre.(Albanews)

© Panorama.al

Te lidhura