
Greqia nuk do ta mbajë referendumin për paketën e shpëtimit. Kryeministri Jorgo Papandreu duket se u tërhoq nga ideja e tij e parë, për të kërkuar mbështetjen e popullit për masat e ashpra të kursimit, të kërkuara nga paketa e re e ndihmës europiane dhe të FMN-së, pas kërcënimeve të njëpasnjëshme në takimin e Kanës, ku Merkel dhe Sarkozi e bënë për “ujë të ftohtë”.
Anxhela Merkel ka kërkuar nëse vendi do të qëndrojë në euro apo jo. Duke diskutuar referendumin grek, Kancelarja gjermane tha se “në thelb nuk është asgjë tjetër përveç pyetjes: Do Greqia të qëndrojë në eurozonë, po apo jo”. Deklarata u mbështet nga Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, në krah të saj, dhe ishte më e qarta deri tani për të siguruar se opsioni i tërheqjes së Greqisë nga eurozona është në tryezë. Sarkozi tha se kësti tjetër nga paketa greke e ndihmës nuk mund të paguhet deri pas referendumit, duke shtuar: “Ne duam të vazhdojmë me grekët, por ka rregulla dhe është e papranueshme kur ato nuk ndiqen”.
Zhvillimet e fundit
Situatat e paparashikueshme në Greqi pasojnë njëra-tjetrën, që mbrëmjen e së hënës kur Papandreu kërkoi mbajtjen e një referendumi “bombë” mbi masat e miratuara në samitin e BE-së për krizën në Greqi, duke befasuar e njëkohësisht zemëruar liderët e eurozonës. Por jo vetëm ata. Edhe krahu i tij i djathtë, ministri i Financave, Evangelos Venizelos, tha publikisht se ai nuk dinte asgjë për referendumin. Venizelos ka lëshuar një deklaratë të shkruar pas kthimit nga Kana, Francë, ku ai shoqëroi Papandreun në bisedimet me zyrtarët më të lartë europianë. Venizelos tha se pozicioni i Greqisë brenda euros nuk mund të varet nga një referendum. Pas deklaratës së tij, zv/ministri i Financave, ministri i Shëndetësisë dhe ministri i Zhvillimit folën kundër mbajtjes së referendumit. Ministri i Financave shtoi se Greqia ka nevojë ta marrë këstin 8 miliardë euro përpara 15 dhjetorit. Ai siguroi gjithashtu se sistemi bankar në Greqi nuk po kalon asnjë rrezik.
“Dorëheqja” e Papandreut
“Dështimi” i Papandreut në Kanë, thirrjet brenda koalicionit të tij që ai të japë dorëheqjen dhe refuzimi i ministrave të besuar të tij për idenë e referendumit, ka nxitur zërat se Papandreu, pak pasi të kthehej nga Kana do të shkonte në pallatin presidencial për t’i dorëzuar dorëheqjen Presidentit të vendit, Karolos Papulias. Mbledhja e kabinetit u bë, por Papandreu nuk ka pranuar të japë dorëheqjen. Ai tha në një fjalim se është pro mbetjes në eurozonë dhe paketës së shpëtimit dhe shtoi se thirrja për referendum ishte një thirrje për të marrë mbështetjen e popullit për masat e kursimit. Por gjatë fjalimit të tij, u bë e qartë se Kryeministri ishte më i tërhequr nga ideja e referendumit, i mbetur i vetëm, edhe pse në Kanë ai i kishte mëshuar kësaj ideje. Lajmi se Papandreu do të japë dorëheqjen, duke ia lënë vendin një qeverie teknike u përgënjeshtrua nga Presidenca greke. Papandreu do ta lërë këtë në dorë të mocionit të mosbesimit, për të cilin do të votohet sot në mbrëmje në Parlament.
Zgjedhjet e parakohshme
Kryeministri grek propozoi nisjen e negociatave me opozitaren “Demokracia e Re”, për të formuar një qeveri uniteti kombëtar. Por lideri i opozitës, Antonis Samaras, tha se ata e mbështesin idenë e masave të kursimit dhe marrëveshjes europiane, ama duan zgjedhje të parakohshme. Deputetët e “Demokracia e Re” kanë dalë jashtë sallës së Parlamentit në masë, duke braktisur debatin. Samaras ka deklaruar se ai e mbështet idenë e qeverisë së unitetit, por vetëm një të tillë që ratifikon marrëveshjen e një jave më parë dhe bën thirrje për zgjedhje të parakohshme. Dhe jo një qeverisje koalicioni afatgjatë që Papandreu kishte ndër mend.











