
Arrestohet një bashkëpunëtor, 4 në kërkim. Ekzekutimi një muaj më parë
Policia: Kristiana Miçani u vra nga ish-i dashuri për xhelozi
Adoleshentja Kristiana Miçani nga Korça është masakruar për shkaqe xhelozie nga ish-i dashuri i saj në bashkëpunim me pesë persona të tjerë. Policia greke, vetëm 24 orë pas gjetjes së kufomave, pohoi se ka arritur të identifikojë autorët e vrasjes së dyfishtë, si dhe shkaqet që kanë çuar në këtë krim makabër. Në pranga është vënë vëllai i ish-të dashurit, ndërsa në kërkim është protagonisti kryesor, i cili dyshohet se është arratisur në Itali. Marrëdhënia e vajzës shqiptare me djalin grek ka shkaktuar ndjenjën e xhelozisë tek i dashuri i saj i mëparshëm, duke e nxitur këtë drejt një konflikti që precipitoi në vrasje. Sipas të dhënave të grumbulluara nga hetimet, ngjarja ka ardhur si rrjedhojë e një marrëdhënie më të hershme të vajzës me një 18-vjeçar rom nga Rumania, me emrin Elvis, i cili nuk e pranonte dot që pas ndarjes, ajo krijoi një lidhje të re me djalin grek. Sipas versionit të dhënë nga Policia e shtetit fqinj, zbardhja e ngjarjes është mbështetur jo vetëm në prova dhe fakte të siguruara nga hetimi, por edhe te dëshmitë e qytetarëve, të cilët kanë parë rreth një muaj më parë një skenë jo të zakonshme.
Më 24 dhjetor 2011, djali nga Ksanthi (viktima e gjetur me shqiptaren) ka pasur një grindje me 18-vjeçarin rom, ku dyshohet se shkak ka qenë pikërisht marrëdhënia mes dy adoleshentëve dhe xhelozia e ish-të dashurit të Kristianës. Po atë ditë, në një stacion autobusi në zonën periferike të Dendropotamos, ku ishin të dy të rinjtë, ka ndodhur një tjetër sulm ndaj dy adoleshentëve. Sipas përshkrimeve, teksa çifti i të rinjve ishte duke pritur mbërritjen e autobusit, u shfaq 18-vjeçari, i cili me një mjet metalik qëlloi ndaj 15-vjeçarit, duke e plagosur. Menjëherë në vend ka mbërritur edhe një makinë, drejtuar nga vëllai i rumunit, 23 vjeç, me të cilin ndodheshin tre persona (dy djem dhe një vajzë). Ata i futën me forcë djalin dhe vajzën në pjesën e prapme të mjetit dhe u nisën drejt një destinacioni të panjohur. Dyshohet se më pas ka ndodhur vrasja e adoleshentëve, trupat e të cilëve u gjetën të masakruar e të dekompozuar në zonën rurale të Lagadhasë, në Selanik, vetëm pas një muaji. I arrestuari është dërguar në Prokurorinë e Selanikut, ku pritet të japë detaje të hollësishme mbi krimin makabër, ndërsa i vëllai i tij, ish-i dashuri i vajzës, pas vrasjes është larguar në Itali. I arrestuari dhe 4 të kërkuarit akuzohen për “vrasje me dashje”, “rrëmbim” dhe “shkelje të ligjit mbi armët.” Dëshmia e të arrestuarit të vetëm do të jetë kyçe për të zbardhur ngjarjen e tmerrshme, të masakrimit të dy adoleshentëve. Vajza, me origjinë nga Drenova e Korçës, jetonte me të atin dhe motrën e vogël në Selanik të Greqisë. Aty është njohur dhe me dy djemtë, njëri prej të cilëve u kthye në masakruesin e saj, bashkë me 15-vjeçarin grek. Ngjarja tronditi familjarët e Miçanit në Korçë, të cilët e mësuan nga media fatin tragjik të mbesës së tyre.
Identifikimi i autorëve të vrasjes së dyfishtë, viktimë e së cilës mbeti edhe vajza shqiptare, ka mundësuar që krimi të mos mbetet i pazbardhur, por policia helene është duke investiguar detaje të tjera në lidhje me rastin.
Varrimi në fshatin Drenovë
Familjarët e viktimës në Greqi për trupin
Familjarët e Kristiana Miçanit, 16-vjeçares që u gjet e vrarë në shtetin grek, janë nisur drejt Selanikut për të tërhequr trupin e saj të pajetë. Sipas të dhënave nga të afërmit, trupi i saj do të varroset në fshatin Drenovë, por ende nuk është dhënë autorizimi për sjelljen e trupit të saj. Autoritetet policore të shtetit helen, për shkak të procedurave dhe dokumentacionit ligjor që duhet përmbushur, ende nuk kanë lejuar familjarët që të marrin trupin e pajetë të vajzës dhe ta sjellin atë në vendlindjen e saj. Përgatitjet për ceremoninë mortore të adoleshentes së vrarë në mënyrë mizore, tashmë kanë përfunduar dhe në shtëpinë e saj mbizotëron heshtja mortore e zia. Familjarët kanë treguar se ngjarja, përveçse i ka kapur në befasi, i ka tronditur së tepërmi. Xhaxhai i Kristianës, së bashku me bashkëshorten, janë nisur mëngjesin e së enjtes për t’u takuar me babain e saj dhe për të tërhequr trupin e vajzës, por ende nuk kanë marrë një përgjigje konkrete nëse do të jetë e mundur që ajo të sillet për t’u varrosur sot apo ditën e hënë. Përfundimi i ekzaminimeve dhe autopsisë pas zbardhjes së ngjarjes kanë shkaktuar edhe vonesën e të afërmve të cilët, së bashku me Thimi Miçanin, babanë e vajzës, do të rikthehen në fshatin Drenovë për ta përcjellë Kristianën në banesën e fundit.
DHORJELA DEMKOLLI
© Panorama.al











