Greqi, shqiptari qëllon me thikë 4 vetë, një vdes

Nov 15, 2011 | 15:19

GREQI- Një shqiptar i moshës 27 vjeçare qëllon për vdekje me thikë një person dhe lë të plagosur 3 të tjerë. Ngjarja ka ndodhur në një kafene në Rizohori të Pellas në Greqi. Sipas medieve greke, tre të plagosurit u dërguan në spital, ku po kurohen dhe sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetën. “Autori, shtetas shqiptar u ndalua nga klientë të lokalit dhe u arrestua nga forcat e policisë që shkuan në vendin e ngjarjes”- raporton agjencia AMNA.

Ngjarja ndodhi në mesnatë, pas një sherri që kishte autori me pronarin e lokalit, për shkak të mosmarrëveshjeve personale. “Më pas 27 vjeçari u largua nga kafeneja, shkoi në shtëpinë e vet ku mori një thikë dhe u kthye në lokal”- thonë të njëjtat burime.

Sipas të dhënave të para që publikoi policia, autori sulmoi pronarin, duke e goditur me thikë. Klientë që ndodheshin në lokal u përpoqën ta ndalojnë, por gjatë përpjekjes ai goditi për vdekje një burrë 45 vjeç dhe lehtë një 44 vjeçar, si dhe një shtetas shqiptar të moshës 31 vjeç. Policia po heton mbi rrethanat e ngjarjes, ndërsa autori do të dërgohet në prokurori.

© Panorama.al

Te lidhura