Zyrtarët e qeverisë greke dhe investitorët privatë do të zhvillojnë një takim të ri më 18 janar, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për heqjen e 50 për qind të borxhit grek, sipas paktit të arritur në samitin e tetorit të vitit të kaluar. Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel, ka nxitur arritjen e një marrëveshjeje mes palëve, tashmë që situata po bëhet gjithnjë e më alarmuese, me zhvlerësime të vazhdueshme të vendeve të eurozonës. Gjatë një vizite të shkurtër në Athinë, ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, ka shprehur mbështetjen e plotë të vendit të tij ndaj Greqisë, në përpjekjet e saj për të dalë nga kriza. Kryeministri grek, Lukas Papademos, ka deklaruar se Greqia mund të falimentojë në mars, nëse nuk pranohen masat për reduktime të mëtejshme të pagave.











