Greko-gjermania, trafik armësh me të dashurin e saj shqiptar

May 8, 2011 | 11:49

TIRANE – Prokuroria për Krimet e Rënda ka përfunduar hetimet për 5 të dyshuar si trafikantë armësh, mes të cilëve edhe një shtetase greko-gjermane. Aliki Buratzi, greko-gjermania 44-vjeçare, e arrestuar në dhjetor 2010, teksa po tentonte të kalonte 4 pistoleta në pikëkalimin kufitar të Qafë-Botës në Sarandë, do të përballet me Gjykatën për Krimet e Rënda. Sipas Prokurorisë, 44-vjeçarja do të kalonte pistoletat në drejtim të shtetit grek.
Dosja në ngarkim të saj dhe katër të bashkëpandehurve të tjerë Sokol Lepuri, Sefer Lleshi, Altin Kaca dhe Elidon Kerpi është depozituar në këtë gjykatë. Lajmi u konfirmua nga burime zyrtare të Gjykatës. Bëhet e ditur se akuzat që rëndojnë mbi ta janë ato të “trafikimit të armëve dhe municionit” dhe “moskallëzim i krimit”. Dosja në ngarkim të tyre është regjistruar si çështja Nr.67 tek Krimet e Rënda, ndërsa kryesuesja e këtij gjykimi do të jetë gjyqtarja Ilirjana Olldashi. Statusi i dosjes është “gjykim”, ndërsa ende nuk është përcaktuar data e seancës së parë gjyqësore. Të pandehurit e kësaj dosjeje u prangosën nga operacioni policor i Policisë së Sarandës, i koduar “zastava”, në ditët e para të dhjetorit të vitit të kaluar. Fillimisht policia ndaloi shtetasen greko-gjermane. Ndalimi i saj u bë teksa po tentonte të kalonte kufirin shtetëror, ndërkohë që kishte fshehur 4 pistoleta në veshjet e saj. Nga marrja e saj në pyetje dhe hetimet e mëtejshme, policia identifikoi dhe arrestoi edhe personat e tjerë të dyshuar si të përfshirë në trafik. Sipas hetimeve, armët ishin siguruar në Serbi dhe se destinacioni i tyre ishte qyteti grek i Korinthit. Po sipas hetimeve, shtetësja greko-gjermane ishte “rekrutuar” për të bërë kalimin e armëve në kufi nga një prej të pandehurve të tjerë me të cilin ajo ka pasur një lidhje dashurie.

© Panorama.al

Te lidhura