Kryeministri Berisha inspektoi dje punimet në tunelin Tiranë-Elbasan, ku punimet arritën në kilometrin e parë të tij. Kryeministri i përgëzoi ndërtuesit që në një kohë të shkurtër, vetëm disamujore, realizuan një të katërtën e punimeve që duhen deri në përfundimin e tij. Por gjatë këtij inspektimi, administratori i kompanisë greke “Aktor”, Dhimitraq Koutra, u shpreh se “gjithë kjo punë deri tani është bërë pa u paguar dhe pa marrë asnjë lek, ndërsa puna u bë vetëm sepse ju premtuam juve, zoti Kryeministër, se do ta bënim dhe e bëmë”. Gazeta “Panorama” kontaktoi dje me zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Rrugëve, Skënder Çota, i cili sqaroi se nuk është bërë asnjë vonesë në transaksione dhe se gjithçka ka ecur në zbatim të afateve dhe procedurave. “Ne nuk kemi bërë asnjë vonesë të pagesave ndaj kompanisë. Ata kanë paraqitur më datë 7 nëntor garancinë e performancës dhe më datë 12 kanë paraqitur kërkesën e pagesës. Banka Islamike për Zhvillim, që është edhe institucioni që do bënte transaksionin më datë 12, e kishte pushim, kështu që kërkesa u paraqit më datë 13 nëntor. Praktika dhe procedurat duan një afat 2-3-javor për të kryer transaksionin, por duke qenë se vetë drejtues të Bankës kanë vizituar tunelin dhe mbetën mjaft të kënaqur, urdhëruan që pagesa të bëhej më herët dhe ditën e hënë kompania do të ketë paratë në llogarinë e saj”, shpjegon Çota. Shuma që kompania do të marrë këtë herë është ajo e 7.6 milionë dollarëve. Kompania greke duhet të dorëzojë edhe garancinë e performancës së paradhënies, në mënyrë që të përfitojë edhe 10 milionë dollarë të tjerë. Kryeministri Berisha gjatë fjalës para banorëve të zonës, duke vlerësuar rëndësinë që segmenti Tiranë- Elbasan me tunel ka për ekonominë e vendit, nënvizoi këmbënguljen e qeverisë dhe maxhorancës që drejton për ta realizuar këtë vepër. Kreu i qeverisë akuzoi opozitën se u përpoq të bllokonte këtë investim të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët. “Nuk mund të mos kujtoj një natë të gjatë në Parlamentin shqiptar, kur me përpjekjet më të jashtëzakonshme, ata që përdorën pushtetin për të bllokuar statusin e vendit bënë gjithçka për të bllokuar buxhetin për korridorin Tiranë-Elbasan. Në mënyrë të papërgjegjshme, ata e personalizuan korridorin me Sali Berishën dhe harruan që ky është korridori i miliona shqiptarëve”, u shpreh Berisha. Sipas tij, ky korridor është korridori i burrave dhe grave, fëmijëve, intelektualëve, mësuesve, studentëve të Elbasanit, të Korçës, të Librazhdit, të Gramshit, të Pogradecit, të Dumresë, është korridori i qindra dhe mijëra shqiptarëve nga Maqedonia dhe maqedonasve që vijnë në Shqipëri, që vijnë në Tiranë, që pushojnë në brigjet tona. Është segmenti kryesor i Korridorit 8. “Përfundimi i një të katërtës së punimeve në këtë tunel, ka një rëndësi të jashtëzakonshme për më shumë se 1.2 milionë shqiptarë. Përfundimi i këtij tuneli shkurton distancën midis Shkupit dhe Tiranës, së paku me 50 minuta, kurse për transportin e rëndë, e shkurton edhe për një orë e gjysmë. Ky tunel, së bashku me tunelin e Kalimashit dhe tunelin e Qafë-Murrizit, do të ndryshojë në mënyrë përfundimtare Shqipërinë”, u shpreh Berisha. NERTILA MAHO











