Gramoz Ruçi feston 60-vjetorin, mbledh të gjitha rrymat në PS

Dec 7, 2011 | 12:12
Ruçi dhe Pëllumbi, dje gjatë ditëlindjes

Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS, Gramoz Ruçi, mbushi dje 60 vjeç. Një jubile i tillë nuk mund të festohej pa miq dhe bashkëpunëtorë të afërt dhe të vjetër. Kreu socialist, Rama dhe administrata e selisë rozë organizuan një pritje në bar-restorant “Austria” pranë godinës së PS me këtë rast, ku të ftuar ishin deputetë dhe anëtarë të Asamblesë Kombëtare. Tek ditëlindja e “shokut Gramoz”, siç i thërrasin të gjithë në Partinë Socialiste, nuk mungonte njeri. Ndryshe nga aktivitetet partiake apo parlamentare, kur herë pas here ka pasur dhe mungesa të deputetëve të ndryshëm për shkak të situatave të nxehta në PS, dje ishin të gjithë. “Shokun Gramoz” e uruan edhe Edi Rama e Kastriot Islami, edhe Ben Blushi e Andis Harasani apo Arben Malaj. Nuk mungoi dje në këtë festë edhe profesori i PS, Servet Pëllumbi, një nga bashkëpunëtorët dhe kolegët e vjetër të Ruçit, veçanërisht gjatë opozitës së parë 1992-1997, por dhe më pas kur Pëllumbi ishte kryetar i Kuvendit dhe Ruçi kryetar i Grupit Parlamentar socialist. Të gjithë që vinin, sillnin me vete nga një dhuratë, simbolika e së cilës fshihej pas ambalazhit të kujdesshëm me të cilin ishte mbështjellë.
Dhuratat

Rama, duke uruar Ruçin për ditëlindjen

Pjesa më e madhe e dhuratave mësohet se ishin kravata dhe piktura. Emocionet e Ruçit, njeriut të fortë të grupit të deputetëve dhe PS, nuk fshiheshin dje, ndërsa trokiste gotat me të pranishmit, të gjithë miq të tij me të cilët ndan punët dhe detyrat. Nga një tavolinë në tjetrën, ai merrte urimet, por dhe batutat e rastit nga deputetët më me humor në Grupin Parlamentar. Ceremonial dhe si gjithmonë me kostum të errët dhe kravatë vishnje, Ruçi përgëzoi për ardhjen jo vetëm deputetët e Grupit Parlamentar, por dhe anëtarë të Asamblesë Kombëtare, që kishin ardhur nga Korça, Fieri, Berati, Gjirokastra, Tepelena, por dhe Shkodra e Lezha. Rama mbërriti rreth gjysmë ore pasi pritja kishte nisur, i veshur si gjithnjë sportiv në të tilla raste, ndërsa takoi të parin, Ruçin, duke e uruar në këtë përvjetor e më pas vazhdoi në tavolinën ku ndodhej profesor Pëllumbi. Në sfond muzika që luhej nga një Dee Jay, kishte të gjitha rrymat e kohës, përveç asaj tradicionales. Më në fund mbërriti dhe torta që kreu i PS Rama kishte porositur për bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë. Jo pa emocion, Ruçi i uroi të gjithë për praninë, por nuk harroi dhe Asamblenë: “Në gëzime ju ardhsha në familjet tuaja, dhe paçim një asamble të ëmbël!” Pas tortës, një e nga një të ftuarit kanë nisur të largohen.
Dokle
Ndërsa në dalje të “Austria”, një nga kolegët e hershëm të tij, Namik Dokle nuk ngurroi të na japë një opinion për “mikun e përhershëm”, siç e cilësoi. “Gramoz Ruçi është një nga themeluesit e partisë, por më shumë se kaq është

Dje gjatë festës

simboli i qëndresës së PS në ditë të vështira dhe simboli i përparimit të PS në gjithë këto vite. Në pamje është i ashpër, por ai është sa i ashpër aq dhe njerëzor, sa kontribues aq dhe modest, është një njeri me shpirt të madh dhe një njeri që e duan të gjithë socialistët, po aq sa i do ai dhe jo vetëm socialistët, por dhe njerëzit e thjeshtë që duan të mirën e Shqipërisë, që duan zhvillimin dhe përparimin e saj. Është një mik imi i përhershëm në PS, nga të paktët që kurrë nuk jemi grindur”, u shpreh Dokle, duke u larguar nga kokteji i mbrëmshëm.

Kokteilet e PS
Partia Socialiste kohët e fundit ka nisur të festojë, të iniciuara nga kryetari Rama, ditëlindjet e njerëzve të spikatur të saj në ambientet pranë selisë rozë. Pak kohë më parë, PS organizoi një kokteil për njeriun e letrave shqipe, Dritëro Agolli në 80-vjetorin e tij. Jubileu i Dritëroit nuk ishte një festë apo nderim formal, por ai pati mesazhe, përshëndetje dhe urime zemre nga të gjithë të ftuarit. Dje, PS festoi ditëlindjen e Ruçit në 60-vjetorin e tij.

Kryeministri reagon për zgjedhjet brenda PS
Berisha: Kryesia e PS, Byroja e re Politike me fëmijët e Bllokut
Kryeministri Sali Berisha ka ironizuar dje zgjedhjet në forumet drejtuese të Partisë Socialiste. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, kreu i ekzekutivit u shpreh se në Kryesinë e re janë futur të gjithë fëmijët e Bllokut. “Opozitën e falënderoj për diskutimet që bëri për buxhetin, por shpreh keqardhjen time të thellë për disa propozime, të cilat synonin pikërisht mekanizmin themelor të modelit, zëvendësimin e mekanizmit të tregut të lirë të modelit me modelin marksist dhe sidomos tani që bënë zgjedhjet dhe rikthyen në prag të dhjetorit të gjithë ‘Byronë e re Politike’ në udhëheqjen e PS. A mund të më thoni ju, a mbeti ndokush nga fëmijët e Bllokut pa hyrë në Byro? Jo, asnjë. Por kjo është zgjedhje e tyre. Por me taksat çfarë kishin, se në punët e brendshme nuk u përzihet kush?”, u shpreh Kryeministri. “Le t’i rikthejnë dhe anëtarët e Byrosë Politike në ‘këshillin e të urtëve’, le të bëjnë ç’të duan. Ajo nuk është punë e jona. I dhimbshëm ishte propozimi i tyre, propozime të cilat kishin parasysh trustet dhe kompani të caktuara”.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura