Të dyshuarit kanë vepruar brenda kryeqytetit dhe në periferi për vjedhjen e pasurisë në banesat private
Tiranë, policia godet bandën e plaçkitjes së banesave nga dritaret
Policia e Tiranës ka goditur dje një grup kriminal, që vepronte në fushën e vjedhjes e grabitjes së banesave. Tre të rinj u arrestuan, ndërsa dy të tjerë u shpallën në kërkim. Aksioni u realizua mëngjesin e djeshëm me kapjen e tre të dyshuarve, kurse dy të tjerë u shpallën në kërkim nga Policia e Tiranës, pasi akuzohen për një seri vjedhjeje banesash të ndodhura muajt e fundit në zona të ndryshme të kryeqytetit. Policia ka thënë se gjatë operacionit të përbashkët të tre komisariateve të policisë, është bërë i mundur arrestimi i tre prej të dyshuarve si autorë të vjedhjeve të banesave. Burime nga Policia thanë se të rinjtë e vënë në pranga me akuzën “vjedhje në bashkëpunim”, janë Dorik Kurti, Altin Buduri dhe Armando Elezi. Ndërsa Policia për shkak të hetimeve nuk bën publikë emrat e dy bashkëpunëtorëve të tjerë të të arrestuarve, të cilët tashmë janë identifikuar dhe shpallur në kërkim. Burimet thanë se arrestimi i tyre u krye dje, pas hetimeve disamujore që kishin nisur oficerët e Komisariatit Nr.1 dhe Nr.4 të Policisë së Tiranës. Banesat që të dyshuarit kanë grabitur, ndodhen në zonat e këtyre dy komisariateve, por dyshohet se veprimtaria e tyre kriminale është shtrirë edhe në zona të tjera periferike të Tiranës. Dy vjedhjet e fundit të ndodhura në Tiranë dhe të dokumentuara nga ana e policisë, për të cilat dyshohen të jenë autorë personat e arrestuar, janë kryer në dy banesa private, më 25 dhe më 26 janar të këtij viti. Sipas Policisë, ngjarja e parë ka ndodhur në Rrugën e Dibrës, në kryeqytet, në banesën e shtetasit Artan M., ku është marrë një shumë prej rreth 20 mijë lekësh të rinj. Ndërsa ngjarja tjetër ka ndodhur në fshatin Mjull Bathore të Saukut, në banesën e shtetasit Astrit B., ky të dyshuarit kanë vjedhur 100 mijë lekë të rinj, një aparat fotografik dhe një telefon celular. Sipas burimeve nga grupi hetimor, këto janë dy ngjarjet e fundit për të cilat janë siguruar provat e mjaftueshme, të cilat sollën edhe arrestimin e 3 të dyshuarve. Nga ana tjetër, ata janë të dyshuar edhe për dhjetëra raste të tjera, vjedhjesh banesash, kryesisht pa thyerje, por duke përdorur ndonjë dritare të harruar hapur nga banorët e shtëpive që plaçkitnin. Sipas Policisë, pesë të rinjtë në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet ta kenë nisur “aktivitetin” e tyre që prej muajve të fundit të vitit të kaluar dhe përgjatë muajit janar të vitit 2012. Për të provuar implikimin e tyre në rastet e tjera të vjedhjeve të banesave, ekspertët po krahasojnë gjurmët e gjetura në secilën vendngjarje.
TE ARRESTUAR
1. Dorik Kurti2. Armando Elezi
3. Altin Buduri
Në kërkim edhe 2 persona
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











